Fëmijët nga Siria nesër në shtëpi! Rama nga Libani: Me zemër të ngrirë deri në momentin e fundit! Presim sinjalin për të marrë dhe të tjerët

26/10/2020 17:59

I dërguari i Top Channel në Liban, gazetari Muhamed Veliu raporton se janë sjellë në Beirut nga kampi Al Hol në Siri, Floresha Rasha gruaja dhe fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha.

Po ashtu edhe djali i familjes Dumani, Endri Dumani. Ata do të udhëtojnë nesër drejt Shqipërisë. Ndërkohë vetë kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Liban për të sjellë në shtëpi 4 fëmijët dhe gruan.

Kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetari Muhamed Veliu tha se: Jam i lehtësuar sepse ky ishte një operacion i komplikuar më vjen mirë që ia dolëm, kam kontaktuar dhe me drejtuesit e operacionit dhe gjeneralin e që kanë shumë merita në këtë proces. Falenderoj dhe drejtorin e antiterrorit që për 30 ditë ka bërë përpjekje të vazhdueshme , po ashtu edhe konsullin këtu për lidhjet që janë jo aq të lehta, sepse në këtë proces ishin shumë faktorë.

Bashkë me fëmijët tani do kthehemi në Tiranë. Kemi ngritur rrjetin e nevojshëm për t’i trajtuar më kujdes.

E ëma e fëmijëve të vegjël është në gjendje të vështirë ka plagë në trup, por do vij me ne. E rëndësishme se ky operacion i hap rrugën fazës tjetër.
Tani presim sinjalin e fundit për të marrë dhe të tjerët.

Ndërsa i pyetur për Eva Dumanin, kryeministri duke mos dashur të japë shumë informacione tha: Eva është mirë, por janë të komplikuara informacionet.

Por çfarë ndodh më pas?

Rama: kemi një strukturë që është e organizuar nën masa sigurie, psikologë, mjekë për të bërë analizat, do shohim si do zhvillohen gjërat.

Ndërkohë i pyetur se kur do të fillojë faza e dytë e këtij procesi, me qëllim kthimin e të tjerëve në shtëpi, kreu i qeverisë u shpreh: 

Pjesa më e vështirë është ajo për të nxjerrë pengjet, po ashtu është që nuk mund të flasësh, informosh, sepse konfidencialiteti është baza në këtë proces. Nuk është një ndërveprim me një faktor por me shumë. Më vjen mirë të them se ne nuk kemi qenë në gjumë, tani unë nuk mund të flasë për më shumë. Edhe për këta fëmijë deri në momentin e fundit kemi qenë më zemër të ngrirë, ka pasur dy-tre momente te vështira në këtë operacion.

 

FOTO GALERI
1/6

Top Channel