Procesi për Byronë Kombëtare të Hetimit, e njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare” ka përfunduar në Gjykatën Administrative.

Disa aplikantë të skualifikuar nga gara kanë bërë një padi për procesin dhe kërkojnë pezullimin e tij. Ata kanë njoftuar edhe SHBA-BE-në, ndërsa shprehen se janë eliminuar padrejtësisht. Aplikantët kërkojnë që të mos ndërmerret asnjë vendim, derisa të shprehet gjykata.

Ndërkohë, në padi shkruajnë se eliminimi ka ardhur për mungesë të transparencës dhe se nuk ishte përcaktuar minimumi i kapjes së normave nga kandidatët.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të Byrosë Kombëtare të Hetimit është publikuar njoftimi, sipas të cilit këtë të hënë ata që kanë kalur testin fizik do i nënshtrohen testit me shkrim, ku kandidatët do të demonstrojnë nivelin e aftësive në shkrim dhe këndim, përdorimin e kompjuterit, arsyetimin logjik dhe aftësinë për të artikulur idetë me shkrim.

Sipas rregullores, kandidatët para se të hyjnë në testin me shkrim do të regjistrohen duke paraqitur një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti). Dokumenti identifikimit do të krahasohet me gjeneralitetet e parashikuar në listën emërore.

Kandidatët gjatë zhvillimit të testit me shkrim, në ambientin ku zhvillohet testi, nuk lejohet të mbajnë telefona celularë, pajisje elektronike, libra ose shënime.  Nuk lejohet asnjë lloj komunikimi me kandidatêt e tjerë pasi kanë hyrë në ambientin ku zhvillohet testi.

Mosrespektimi i këtyre rregullave dhe udhëzimeve të tjera të dhëna nga vëzhguesit do të rezultojnë në largimin e menjëhershëm të kandidatit dhe moskualifikimin e tij për në Byronë Kombëtare të Hetimit.

 

Top Channel