Veliaj në Zall Herr: “PS-ja është partia e fituesve; hallet e Zenit dhe Monës janë vilat miliona euro, jo hallet e njerëzve”

25/10/2020 16:01

Nga Zallheri, ku u zhvillua sot mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh drejtues politik i PS për qarkun, ka ftuar të rinjtë që duan të angazhohen me politikë që të bashkohen me njerëzit e duhur, me ata që ndajnë ambicie të njëjta me ambiciet e tyre.

Duke iu përgjigjur deklaratave të një dite më parë të kryetares së LSI, kryebashkiaku tha se forca më energjike e shoqërisë sot, gjenerata e re nga e cila do të dalin drejtuesit e ardhshëm, nuk mund të vetëkënaqet me një birrë apo një ekskursion në Jalë.

“Dje pashë një takim të Monika Kryemadhit e cila thoshte: “E ftojmë lali Erin në partinë tonë, që të plotësojë ambiciet e veta”. Unë ambicie kisha të isha kryetar i Bashkisë së Tiranës, që t’i shërbej popullit, qytetit tim. Si do lë Bashkinë e Tiranës, që të shkoj të pi një birrë në Jalë?! Kjo është për të qeshur e për të qarë, se në mendjen e saj, t’i biesh qylit, t’i marrësh gjërat pa meritë, të shkosh për një ekskursion në Jalë, quhet ambicia më e madhe e një të riu. Kështu që, pyetja ime për ju është: Cila është ambicia? Kap një birrë falas, apo të jesh nesër deputet i ardhshëm, administrator i ardhshëm, kryetar i ardhshëm i Bashkisë?!”, tha ai.

“Partia Socialiste është sot partia e fituesve, – tha Veliaj, – pse duhet të zgjedhim humbësit? Kur unë jam me familjen e fituesve, pse duhet të shkojë dikush me familjen e humbësve, jo vetëm unë, por kushdo tjetër?! Kush është ai, jo vetëm në Zall Herr, Dritas, Qinar, apo në Çekrezë, Kasallë, Melçizë e kudo tjetër, një njeri normal në çdo vend kur e shikon se si disa parti po tkurren, rrudhen, mpaken dhe kur shohin familjen tonë që po rritet dhe po shtohet e po fiton, pse do shkojë me humbësit?!” u shpreh kreu i socialistëve të Qarkut Tiranë.

Kryebashkiaku tha se partitë e tjera flasin me shembuj më qartë sesa me fjalë, duke sjellë në vëmendje vilën e blerë së fundmi në një prej zonave ekskluzive të Tiranës nga djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha; apo vilën e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në Gjirin e Lalëzit, në të cilën bashkëshortja e Presidentit të Republikës ka plot 9 tualete.

“Keni halle si Zeni me vila 1 milion e ca euro? Apo keni halle për punësimin, për shkollimin, për të gjithë investimet e tjera? Nëse ka të rinj që nuk kanë hallet e vilës 1 milion euro, por kanë halle të ngjashme me tonat, duhet t’u themi ejani në familjen tone, se jeni më të ngjashëm me ne, sesa me ata. Nëse zonjat e Zall Herrit nuk kanë halle për 9 banjo për 9 macet, por kanë halle për shtëpinë që ua prishi tërmeti, kanë hallet e fëmijëve të tyre si do i avancojë karriera, kanë hallin e ekonomisë së tyre familjare në fshat, atëherë i kanë hallet më të ngjashme me tonat se me të Monës, ndaj kjo është arsyeja pse duhet të vijnë në familjen tonë,” u shpreh Veliaj.

Top Channel