Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar në lidhje me kthimin e ligjit të Kodit Zgjedhor për rishikim në Kuvend.
Ajo thotë se është një mundësi e mirë për t’u riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik e për të diskutuar se si mund të arrihet një produkt i cili të gëzojë jo vetëm mbështetjen e një pale, siç është rasti aktual, por mbi të gjitha mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Fjala e plotë e Hajdarit:
Të nderuar kolegë, Presidenti i Republikës e ka rikthyer për shqyrtim Projektligjin për ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe në gjykimin tim kjo është një mundësi e mirë për tu riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar se si mund të arrijmë një produkt i cili të gëzojë jo vetëm mbështetjen e një pale, siç është rasti aktual, por mbi të gjitha mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në 30 vite, reformat zgjedhore në këtë vend kanë shërbyer vetëm e vetëm për të përfaqësuar interest e pak njerëzve, duke e deformuar vullnetin e qytetarëve, duke e dobësuar fuqinë e tyre, duke deformuar kuptimin e sovranitetit të popullit e duke prodhuar si rrjedhojë kriza politike të cilat e kanë mbajtur vendin peng. Kur u bëra pjesë e Këshillit Politik, mendova se kishim një shans që ta ndalonim këtë traditë të shëmtuar dhe për herë të parë të prodhonim një produkt i cili do ti shërbentë shumicës së qytetarëve e jo 2 po 3 politikanëve. Prandaj, duke shfrytëzuar mundësinë që kemi përpara, ju ftoj që ditën e martë, në orën 11:00, të riulemi në tryezë dhe të arrijmë një kompromis, ku baza duhet të jetë fuqizimi I qytetarëvë duke i dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve. Kjo do të ishte një sinjal nga ana juaj, se keni në fokus qytetarët e jo interesat e ngushta personale. Do të tregonte se ju intereson më shumë Shqipëria e jo partia. Qytetarët shqiptarë janë duke na ndjekur me shumë vëmendje dhe jam e bindur se do ndëshkojnë rëndë ata të cilët vazhdojnë avazin e vjetër të manipulimit dhe mashtrimit për hir të pushtetit.
Duke shpresuar në një reagim pozitiv, Rudina hajdari.
Top Channel