
Ka nisur në Durrës, puna për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në nivelet DS1-DS2-DS3. Punimet po kryhen në lagje të ndryshme të qytetit dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Në lagjen 18 ku shumë familje u dëmtuan dhe mbetën të pastrehë, si dhe humbën jetën tragjikisht 7 persona janë ngritur skelat në disa pallate. Punimet po realizohen nga firma të tenderuara nga Bashkia e Durrësit dhe përfshijnë riparimin e fasadave, shkallëve dhe mureve të ashensorëve.
Me shpërndarjen deri tani të granteve të rikonstruksionit për 8900 familje dhe fillimin e riparimit të ambienteve të përbashkëta të pallateve, i hapet rrugë kthimit në normalitet të mijëra familjeve të dëmtuara durrsake.
Aktualisht janë lidhur kontratat për 7 lote për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të 458 pallateve. Të tjera pallate do të përfshihen në këtë proces.
Përfitues të granteve të rikonstruksionit:
DS1 100 mijë lekë (të rinj) për 1700 familje,
DS2 250 mijë lekë për 3400 familje,
DS3 500 mijë lekë për 3800 familje.
Top Channel