Meta i dha shtetësi falsifikatorit/ Futbollisti u kap në Rinas me leje qëndrimi false. Pret dënimin nga gjykata

24/10/2020 15:04

Presidenti Meta i dha nënshtetësinë shqiptare Ganezit Kobinës, lojtar i ekipit të Tiranës në një kohë kur atij i kishte skaduar viza shqiptare dhe nuk kishte leje qëndrimi në Shqipëri.

Ndërsa ajo që përbën skandal është fakti se Kobina prej një viti ishte në ndjekje penale i akuzuar për falsifikim të dokumenteve, letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave. Ai është i akuzuar nga prokuroria për këtë krim që parashikohet në nenin 189 pika dy të kodit penal dhe dënohet me 6 muaj deri në 5 vite burg. Gjyqi ndaj tij ka filluar, por i akuzuari nuk është paraqitur duke bërë që gjykata të kërkojë shoqërimin e tij me forcë. Burimet thonë se që në seancën e parë ai do të marrë edhe dënimin.

Po çfarë ka ndodhur me futbollistin ganez të Tiranës? Në 6 qershor të vitit 2019 gjatë kthimit të ganezit nga Turqia në Shqipëri, policia kufitare në Rinas ka vërejtur se viza njëvjeçare e tij kishte skaduar dhe i kërkoi një leje qëndrimi. Ai e paraqiti një të tillë, por polici verifikoi se leja ishte e falsifikuar, por kishte foton e ganezit. Kur prokuroria e morri në pyetje futbollistin, tashmë me nënshtetësi shqiptare tha se këtë dokument ia kishte dhënë një njeri që ndiqte ndeshjet e Tiranës në stadium, por që ai nuk e njihte. E kishte takuar dhe ai pas tre javësh i kishte dhënë dokumentin e lejes së qëndrimit.

Vetëm pas disa muajsh e kishte kuptuar se personi që i dha dukmentin s’kishte lidhje me ekipin e Tiranës. Ndërkohë që Kobinës i ishte refuzuar leja e qëndrimit dhe ekipi i Tiranës do të bënte kërkesën e re. Këtë kërkesë nuk e disponojmë, por tashmë publike është bërë kërkesa që ekipi i Tiranës i dërgoi presidentit Meta me 26 shtator dhe që po atë ditë Presidenti i dha nënshtetësinë futbollisti ganez, i  cili sipas Prokurorisë së Tiranës nuk duhet të ishte as në stadium, por i dënuar me burg për falsifikim dokumentesh.

Top Channel