Ndotja e liqenit të Fierzës/ Safet Gjici propozon zgjidhjen: Duhet një anije vetëpastruese

23/10/2020 13:44

Në studion e emisionit “Shqipëria Live” u fol mbi ndotjen e shkaktuar në liqenet që ndodhen në Veriun e Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici tha në studio se liqeni i Fierzës, që shtrihet në pjesën më të madhe në qarkun e Kukësit, ndotet më së shumti sipas tij nga lumenjtë që vijnë nga komuna e Prizrenit në Kosovë. Ai tha se kanë pasur një takim me autoritetet kosovare, ku është propozuar një anije vetëpastruese. Gjici u shpreh koshient për ndotjen masive të liqeneve, por tha se fondet janë të pakta për pastrimin e plotë të tyre.

“Unë nuk e kam ndjekur në fakt për shkak të angazhimeve. Po flas për Fierzën, që na kap ne pak si bashki. Kështu që ne e kemi mbajtur të pastër liqenin me aq mundësi sa kemi pasur, kemi propozuar edhe një bashkëpunim me autoritetin e Kosovës, një anije vetëpastruese dhe të mbajmë pastër liqenin. Mbetjet nuk vijnë vetëm nga Kukësi, por edhe nga Prizreni. Fshatrat tona nuk i derdhin mbetjet urbane në liqen, janë të pallogaritshme mbetjet urbane, për Komanin nuk kam çfarë të flas sepse nuk kam lidhje. Kam lidhje me Fierzën, Kukësi ka në territorin e vet një pjesë të Fierëzës”, u shpreh Gjici.

Më tej ai shtoi:

“Ne kemi bërë sa mundemi që ta mbajmë pastër. Kemi vendosur dhe koshat e plehrave. Por nuk është zgjidhje e përhershme kjo. Ne duhet të ndajmë pjesën e mbetjeve që vijnë nga Prizreni. Hajdeni me kamerën tuaj në kohën e shirave dhe shikoni se nga vijnë më shumë plehrat. Zgjedhja është që të mblidhemi të gjithë. Ne kemi bërë një takim në Kukës për ta zgjidhur këtë problem një herë e mirë. Kemi biseduar por nuk kemi gjë konkrete, sepse mungojnë fondet. Kjo është e gjithë çështja”.

Top Channel