Ka hyrë në fuqi udhëzimi me procedurat për qytetarët dhe bizneset që do të marrin kthimin e shumës së gjobave të paguara për shkeljen e rregullave dhe akteve ligjore, sa i takon parandalimit të Covid-19.

Udhëzimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe është në mbështetje të zbatimit të aktit normativ të qeverisë për faljen e gjobave për ata që thyen rregullat nga data 17 prilli deri në 7 tetor. Po kështu janë falur edhe gjobat e vendosura nga pushteti vendor për familjet e dëmtuara nga tërmeti, saktësisht shkeljet gjatë riparimeve apo rindërtimit të banesave individuale.

Udhëzimi përcakton se për kthimin e shumës së gjobës, qytetarët dhe biznesi duhet të paraqesin pranë institucionit që ka vendosur masën administrative të dhënat personale, IBAN-in e llogarisë bankare, ndërsa bizneset duhet të paraqesin NIPT-in dhe vërtetimin e regjistrimit të tyre nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Akti normativ përcakton se kthimi i shumës të gjobës të paguar në llogaritë bankare të përfituesve, por edhe kthimi i licencave apo lejeve të bllokuara të mjeteve do të kryhet brenda datës 15 nëntor.

 

Top Channel