Të dënuar për vrasje, vjedhje dhe trafikim narkotikësh/ OFL u dërgon formularin e pasurisë 5 personave

22/10/2020 13:55

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Gazmend Hasi, banues në Shkodër, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Enver Jakimi., banues në Bulqizë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim;

Indrit Taulla, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Vrasja me paramendim”;

Mario Zeqiri, banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

Hajri Seferi, banues në Durrës, nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel