Operacioni “Bye pass”/ Gjykata e Durrësit liron zyrtarët e ARRSH-së

22/10/2020 15:09

Gjykata e Durrësit lë të lirë zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe ndërtuesit e ndaluar në kuadër të operacionit ”ByePass”.

Gjyqtari Petraq Çurri gjatë seancës së sotme gjyqësore për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë vendosi të caktojë si masë sigurimi personal ndaj inxhiniereve të ARRSH-së Afërdita Basha,  Dhurata Lazaj dhe Astrit Zenelaj, me detyrë drejtor drejtorie në ARRSH dhe anëtar i Këshillit Teknik, atë të “Detyrim paraqitje para policisë gjyqësore”.

E njëjta masë sigurimi personale u vendos dhe ndaj ndërtuesve Rezart Arkaxhiu dhe Xhevat Vataksi. Këta persona së bashku me katër të tjerë, tre prej të cilëve të ndaluar më parë dhe një në kërkim, akuzohen për ”shpërdorim detyre” dhe ”dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm” në lidhje me pikën e karburantit të ndërtuar në kilometrin e tretë të autostradës Plepa-Kavajë. Ky objekt është bërë shkak i një sërë aksidentesh rrugore pasi është ndërtuar duke prishur barrierat mbrojtëse anësore të autostradës

Top Channel