Obama: Trump “i paaftë ta marrë seriozisht punën”

22/10/2020 21:48

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama tha të mërkurën se Presidenti Donald Trump është “i paaftë ta marrë seriozisht punën”. Ish presidenti i bëri komentet gjatë një aktiviteti fushate për kandidatin demokrat Joe Biden në shtetin kritik të Pensilvanisë.

Tubimi në qytetin e Filadelfias ishte aktiviteti i parë i fushatës ku presidenti Obama merrte pjesë personalisht në mbështetje të zotit Biden, i cili ishte nënpresidenti i tij gjatë dy mandateve në detyrë.

“Nuk kisha menduar ndonjëherë që Donald Trump do të përqafonte vizionin tim ose do të vazhdonte politikat e mia, por kisha shpresuar që për hir të vendit, ai të tregonte interes për ta marrë seriozisht punën,” i tha zoti Obama turmës që mori pjesë duke ndenjur brenda 300 makinave në një parkim të stadiumit. “Por kjo nuk ndodhi,” tha Obama,

“Ai nuk ka treguar ndonjë interes për të bërë punën ose për të ndihmuar ndokënd përveç vetes dhe miqve të tij ose e ka trajtuar presidencën si një spektakël që ai mund ta përdorë për të tërhequr vëmendje.”

Zoti Trump e kishte kritikuar shpesh zotin Obama gjatë kohës që paraardhësi i tij ishte në detyrë dhe ka vazhduar ta sulmojë atë gjatë mandatit të tanishëm. Në fillim të këtij muaji, ai shkroi në Twitter se administrata Obama-Biden ishte “tmerrësisht e dobët!!!”

Në tubimin e tij të mërkurën, presidenti Trump përmendi mbështetjen e zotit Obama për kandidaten demokrate të vitit 2016 Hillary Clinton, duke thënë, “Askush nuk bëri fushatë më shumë për Hillarin Mashtruese sesa Obama, apo jo?”

Ish-presidenti Obama tha se një presidencë e zotit Biden do të ishte e ndryshme në ton dhe përparësi nga ajo e administratës së Presidentit Trump dhe kritikoi menaxhimin nga ana e tij të pandemisë së koronavirusit që ka vrarë më shumë se 222,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

“Unë e kuptoj që ky president do të marrë meritën e plotë për ekonominë që trashëgoi dhe zero faj për pandeminë që ai injoroi. Por kjo nuk funksionon kështu,” tha Obama. “Postimet në Twitter nuk i rregullojnë gjërat. Sajimi i fakteve nuk e bën jetën e njerëzve më të mirë. Duhet të kesh një plan. Duhet të punosh.”

Pensilvania ka qenë e rëndësishme për të dyja fushatat, të zotit Trump dhe zotit Biden në përpjekjet e tyre të fundit për të siguruar mbështetje përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit. Shteti mbart 20 nga 270 votat elektorale që i duhen një kandidati për të fituar një mandat të Shtëpisë së Bardhë. Zoti Trump e mundi ish-rivalen e tij demokrate, Clinton në Pensilvani në vitin 2016, hera e parë që një Republikan kishte fituar në këtë shtet që nga viti 1988.

Zoti Biden e ka vizituar Pensilvaninë më shumë se çdo shtet tjetër, dhe zoti Trump ishte aty për fushatë të martën./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA