(Emri) Arrestime për “karburantin”/ Arrestohet edhe një tjetër zyrtare e ARRSH-së

22/10/2020 11:34

Një tjetër zyrtar i Autoritetit Rrugor Shqiptar  është arrestuar në kuadër të operacionit “ Bye Pass”.

Shtetasja Dhurata Lazaj, 55 vjeçe me funksion inxhiniere në ARRSH ka rënë në prangat e uniformave blu pasi ishte shpallur në kërkim në lidhje me hetimet e nisura nga Prokuroria e Durrësit për ndërtimin abuziv të një pike  karburanti në kilometrin e tretë të autostradës Plepa-Kavajë. Përmes prishjes së barrierave anësore në autostradën Plepa- Kavajë, objekti i ndërtuar në zonën e Shkëmbit të Kavajës, është bërë shkak i një sërë aksidentesh rrugore, që kanë nxjerrë në pah nevojën për të hetuar më tej mbi shkeljet në ndërtimin e tij.

55 vjeçares i është caktuar masa e sigurisë “ Arrest me burg” nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “ Shpërdorim detyre”.

Një javë më parë prokuroria e Durrësit kërkoi ekzekutimin e urdhër ndalimeve për 9 persona, 7 prej të cilëve inxhinierë dhe zyrtarë të lartë të Autoritetit Rrugor dhe 2 ndërtues. Funksionarët dhe specialistët publikë akuzohen për “shpërdorim detyre”,  “dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm”

Në kuadër të operacionit Bye pass, përgjatë këtyre ditëve janë ndaluar 8 persona dhe është ende në kërkim edhe 1 zyrtar i ARRSH-së. Javën e kaluar, pas seancës së vleftësimit dhe caktimit të masës së sigurisë në gjykatën e Durrësit 2 nga 3 të arrestuarit e policisë u lanë të lirë me ‘detyrim paraqitjeje’, ndërsa njëri nga inxhinierët u la në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Top Channel