Basha pro Ramës për “Detin”/ “Qëndrimi i PD-së që duhet trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare”

22/10/2020 15:51

12 vite më parë, Lulzim Basha ishte i ulur në një tjetër tryezë, në tagrin e ministrit të Jashtëm dhe firmoste me homologen greke Dora Bakojanis marrëveshjen për kufijtë detarë, të cilën gjykata Kushtetuese e rrëzoi.

Sot pas 1 dekade, Lulzim Basha komenton vendimin e Edi Ramës për t’iu drejtuar një arbitri ndërkombëtar për detin.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pikëpamja dhe qëndrimi im dhe i Partisë Demokratike ka qenë që duhet të trajtohet nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Sot Shqipëria ka nevoje të përgatisë fazën paraprake, sepse kërkohet një punë shumë e madhe në këtë drejtim. Për fat të keq, ky nuk është një moment i përshtatshëm”, u shpreh Basha.

6 muaj para zgjedhjeve, Lulzim Basha mendon se qeveria Rama nuk përbën një garanci për një marrëveshje të drejtë me shtetin fqinj dhe se pakti i ri duhet të nënshkruhet nga një qeveri e re.

“Madje nisur nga deklarimet publike të kryeministrit  mund të përbëjë një rrezik për interesat kombëtare. Ky hap duhet të ndërmerret nga një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhje legjitime dhe demokratike. Procesi i përgatitjes para këtij hapi është proces voluminoz ku pala shqiptare dhe një qeveri legjitime duhet të mbrojë interesat ndërkombëtare të vendit, në çdo aspekt të përgatitjes  dhe dërgimit në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, të qëndrimeve tona”.

Në marrëveshjen e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese për delimitimin e kufirit detar, ekspertët patën kundërshtuar disa momente të rëndësishme, ku Shqipëria sipas përllogaritjeve të tyre humbiste territor 335 kilometra katrorë.

Top Channel