Vuçiç-Medvedev: Zgjidhja për shpëtimin e popullit, përdorimi masiv i vaksinës anti-COVID-19

21/10/2020 17:00

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe zëvendës presidenti i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev sot në një bisedë të gjatë dhe miqësore të mbajtur përmes video-lidhjes konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira të cilat Serbia dhe Rusia i kanë në të gjitha fushat e bashkëpunimit.

Vuçiç dhe Medvedev, i cili po ashtu është kryetar i partisë “Rusia e Bashkuar”, folën për krizën e shkaktuar nga shfaqja e koronavirusit, por edhe për mënyrat në të cilat të dyja vendet bashkëpunojnë për këtë çështje, njoftoi Presidenca e Serbisë.

Vuçiç falënderoi për mbështetjen e Federatës Ruse ndaj Serbisë në fillim të krizës së madhe shëndetësore dhe shtoi se zgjidhja e vetme e vërtetë për shpëtimin e njerëzve mund të ishte përdorimi masiv i vaksinës kundër COVID-19.

Në të njëjtën kohë, presidenti serb dhe zv/presidenti i Këshillit të Sigurisë, kryetari i partisë “Rusia e Bashkuar” Medvedev, theksuan bashkëpunimin e mirë në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Vuçiç veçanërisht falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj në ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë.

Medvedev tha se ai e mirëpriti politikën e Serbisë, e cila sillet si një vend i pavarur dhe sovran dhe ka një marrëdhënie miqësore me Rusinë. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord të takohen drejtpërdrejt dhe të shkëmbejnë mendime për të gjitha çështjet e rëndësishme politike dhe ekonomike menjëherë pas mposhtjes së përbashkët mbi koronavirusin.

Ngjarja u mbajt në prag të Forumit Ndërkombëtar Ndërpartiak “SHOS +” me temën “Ekonomia për Njerëzit”./AA/

Top Channel