Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se ka nisur procedurën për hapjen e zyrës përfaqësuese të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në përputhje me një marrëveshje midis qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Rusisë.
“Qëllimi i krijimit të zyrës përfaqësuese të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë është të ofrojë mbështetje dhe zgjidhje më të shpejtë të çështjeve, që lidhen me ndihmën ushtarake-teknike, bashkëpunimin ushtarak dhe ushtarako-teknik, në përputhje me marrëveshjen e Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Rusisë për bashkëpunimin ushtarako-teknik”, thuhet në njoftim.
Aty po ashtu theksohet se marrëveshja është nënshkruar në bazë të një ujdie mes presidentëve të Serbisë dhe Rusisë, Aleksandar Vuçic dhe Vladimir Putin. Muajin e kaluar, Serbia i ka pezulluar stërvitjet ushtarake me ushtritë e huaja për gjashtë muaj, duke thënë se ka pasur presion nga BE-ja për t’u tërhequr nga stërvitjet e përbashkëta me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Urdhri i Qeverisë ruse për hapjen e zyrës në Serbi daton nga 15 tetori dhe është nënshkruar prej kryeministrit rus Mikhail Mishustin, thotë Reuters. Marrëveshja për hapjen e zyrës, pasi të nënshkruhet nga të dyja palët, do t’i japë një zyrtari rus në Serbi të drejtën për të vizituar divizionet serbe që përdorin armë dhe pajisje ushtarake ruse. Vitet e fundit, Serbia ka blerë aeroplanë luftarakë MiG-29 nga Rusia, si dhe helikopterë, tanke dhe transportues të blinduar.
Top Channel