Me mbërritjen e valës së dytë të pandemisë së koronavirusit dhe shtimit të numrit të rasteve të reja të infektuarve në Evropë dhe SHBA, kreu i Shërbimit për Situata Emergjente shëndetësore në OBSH, Mike Ryan, thotë se mënyra më e efikase për të ndërprere zinxhirin e infektimeve, është izolimi i personave që kanë pasur kontakte me të sëmurët.
“Çdo individ që është takuar me ndonjë të prekur duhet të hyjë në karantinë, me qëllimin të frenohet përhapja e sëmundjes”, tha Ryan gjatë një konferencë për shtyp në Gjenevë.
“Mendoj se një gjë e tillë nuk është bërë dhe as që do të bëhet në mënyrë sistematike, dhe kjo është një prej arsyeve kryesore që po shohim rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19”, shtoi ai. Në mjaft pjesë të kontinentit të vjetër po vihet re një shpërthim i ri i Covid 19. Sipas zyrtarit të OBSH-së, në gjysmën e vendeve të Evropës, kjo organizatë regjistroi javën e kaluar një shtim të infektimeve në masën 50 përqind.
“E di që njerëzit janë lodhur, por nuk duhet ulur vigjilenca sepse ky virus ka treguar se mund sërish të shfaqet me shpejtësi të madhe, duke kërcënuar sistemin shëndetësorë”, u shpreh ai.
Top Channel