Pak kohë më parë, emisioni Top Story në Top Channel, në emisionin e datës 17 dhjetor 2019 “Plumba mbi drejtësinë”, raportoi se në mars të vitit 1998 është vendosur një sasi e madhe tritoli në derën e banesës së prokurorit Aleksandër Plepi. Ky lajm në fakt është i pavërtetë, pasi kishte ardhur në formën e burimit të informacionit dhe i pavërtetuar me dokumentacion.
Pjesë e informacioneve të transmetuara në dokumentar, ishte edhe se prokurori Aleksandër Plepi kishte kërkuar 50.000 euro rryshfet nga Besnik Braka, një i dënuar për trafik droge, thuajse duke ndikuar tek bashkëshortja e tij gjyqtare Marsela Balili, që tí ulej dënimi Brakës. Ky lajm është i pavërtetë dhe i pabazuar në asnjë burim prove, por Top Story gabimisht i ka marrë si referencë nga lajmet e shpërndara në mediat online.
Televizioni Top Channel, emisioni TOP STORY, distancohet nga këto informacione të pasakta, duke kryer korrigjimin përkatës në videon që gjendet në Youtube si dhe duke pranuar këtë gabim.
Top Channel është njohur për këtë pasaktësi, vetëm pasi në adresën e televizionit mbërriti kërkesa dhe provat ligjore të depozituara nga të dëmtuarit akuzues Marsela Balili dhe Aleksandër Plepi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, më datë 14.07.2020, me objekt gjykimin e palës së akuzuar Top Channel Sh.a., Televizioni Top Channel, Emisioni TOP STORY, për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes publike”, të parashikuar nga neni 120 i Kodit Penal.
Televizioni Top Channel, emisioni TOP STORY, distancohet nga këto lajme të pavërteta, që kanë rënduar mbi personat e dëmtuar moralisht, të cilëve u janë veshur padrejtësisht përballë opinionit publik lajme të pasakta.
Televizioni Top Channel, emisioni TOP STORY, jep këtë përgënjeshtrim pasi disponon dokumentacionin e plotë provues mbi të vërtetën e fakteve të pavërteta të përmendura më lart.
Top Channel