Elbasan/ Bashkia i heq rrugës emrin e heroit të Popullit, i vihet emri i vëllait të ish kryetarit të bashkisë

21/10/2020 20:50

Në qytetin e Elbasanit ekziston një rrugë që prej vitesh mban dy emra, atë të Heroit të Popullit Kozma Naska dhe të një ish pedagogu dhe studiuesi të mirëfilltë të letërsisë Tomorr Domit.

Ndryshimi u bë në vitin 2014 me vendim të Këshillit Bashkiak, ku rrugës iu hoq emri i Heroit të Popullit dhe iu vu ai i vëllait të ish kryetarit të Bashkisë së Elbasanit Hysen Domit.

Në Fiks Fare u ankua vëllai i heroit të popullit Kozma Naska i cili kërkoi që të respektohej emri i vëllait të tij dhe rrugës t’i jepej një emërtim përfundimtar, pasi ende sot në këtë rrugë janë me tabela të dyja emërtimet. Ai kërkon që kjo situatë të shpjegohet pasi është edhe prag zgjedhjesh dhe emërtimi i rrugës krijon konfuzion. Ai tregon për Fiksin se është interesuar në disa institucione, por ende nuk ka marrë një përgjigje se pse i është ndërruar emri rrugës nga “Kozma Naska” në “Tomorr Domi”, ndërkohë që në qytetin e Elbasanit është edhe një rrugë tjetër që e mban emrin “Tomorr Domi”.

Fiks Fare u interesua në Bashkinë Elbasan ku z. Marvis Avllazagai, përgjegjës i Sektorit të Projektimeve dhe Shërbimeve sqaroi se është një lapsus nga ana e tyre, por që do të korigjohet shpejt. “Ky është emërtimi i fundit në sistemin e adresave të qytetit të Elbasanit, referuar ligjit të Sistemit të Adresave është përgatitur materiali për korigjim të këtij lapsusi dhe shumë shpejt do i dërgohet Këshillit Bashkiak për ta marrë në konsideratë për korrigjimin e këtij lapsusi” shpjegon z.Avllazagai.

Por edhe nëse kërkon në google map rrugën e mësipërme ajo del me emërtimin “Kozma Naska” dhe për këtë përgjegjësi i bashkisë shprehet se në këtë aplikacion sistemi i adresave është më i vjetër se sistemi i adresave. I pyetur se ka një mbivendosje pasi emërtimin ” Tomorr Domi” e mbajnë dy rrugë, Z. Avllazagai thotë se e kanë evidentuar si rast dhe do ta transmetojnë në Këshillin Bashkiak. Aktualisht rruga mban emërtimin ” Tomorr Domi” dhe jo emrin e Heroit të Popullit “Kozma Haska” të cilit tashmë i ka mbetur vetëm lulishtja në fillim të kësaj rruge ku është edhe busti i tij.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel