Ajri i ndotur vrau 500 mijë foshnje në 2019-ën!

21/10/2020 11:41

Ndotja e ajrit, vitin e kaluar ka shkaktuar vdekjen e parakohshme të rreth gjysmë milion foshnja në muajt e parë të jetës së tyre me pjesën më të madhe të bebeve në botën në zhvillim.

Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit është i dëmshëm po ashtu edhe për bebet në barkun e nënës. Ai mund të shkaktojë lindje të parakohëshme ose peshë të vogël në lindje. Të dy këta faktorë janë të lidhur me vdekshmërinë e lartë foshnjore. Rreth dy të tretat e 500 mijë vdekjeve mes foshnjave, të dokumentuara, janë të lidhura me ajrin e ndotur në ambjente të brendshme, veçanërisht si pasojë e karburanteve të forta si qymyri.

Zbulimi është përfshirë në raportin për gjendjen e ajrit në glob për 2020, që ka ekzaminuar të dhënat për vdekjet në botë. Sipas raportit, ndotja e ajrit është e lidhur edhe me probleme të shumta shëndetësore. Ekspertët e mjekësisë kanë paralajmëruar prej vitesh për pasojat e ajrit të ndotur tek të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike por sapo kanë filluar të kuptojnë edhe peshën e rëndë mbi foshnjat ende të palindura.

“Ne nuk e kuptojmë plotësisht se çfarë mekanizmash veprojnë në këtë fazë, por ndodh dicka që shkakton reduktim të rritjes së bebes dhe peshë të vogël. Ka një lidhje epidemiologjike që shihet në vende të ndryshme dhe studime të shumta”, thotë Katherine Walker, shkencëtare në institutin Health Effects që ka publikuar raportin. Foshnjat e lindura me peshë të vogël janë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe pneumonisë. Mushkëritë e foshnjeve të lindura para kohe po ashtu janë jo plotësisht të zhvilluara. Ndërkohë, në total, të paktën 6.7 milionë viktima në të gjithë globin janë shkaktuar në 2019 si pasojë e ekspozimit afatgjatë ndaj ajrit të ndotur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA