Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, më 20 tetor vazhduan luftimet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e shkëputur të Nagorni Karabakut.
Luftimet e së martës vijnë pavarësisht thirrjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që palët të respektojnë armëpushimin e arritur.
Azerbajxhani dhe Armenia arritën marrëveshje armëpushimi më 17 tetor, por kjo gjë nuk i ndali luftimet, që nisën muajin e kaluar.
Përshkallëzimi i dhunës në Nagorni Karabak ka rritur frikën se konflikti mund të zgjerohet me përfshirjen e Rusisë dhe Turqisë.
Zyrtarët në Nagorno Karabak, një enklavë separatiste në Azerbajxhan që kontrollohet nga armenët etnikë, raportuan për bombardime të reja mëngjesin e 20 tetorit. Po ashtu zyrtarët thanë se luftimet janë intensifikuar veçanërisht në pjesën jugore të zonës së konfliktit.
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit ka raportuar për beteja në disa zona, përfshirë edhe në afërsi të Linjës së Kontaktit, që ndan këto dy palë.
Konflikti në rajonin e shkëputur të Nagorni Karabakut ka rritur frikën se mund të shkaktojë një krizë humanitare, teksa qindra persona janë vrarë në luftime.
Zyrtarët në Nagorni Karabak, më 19 tetor thanë se 729 ushtarë dhe 37 civilë janë vrarë gjatë luftimeve.
Azerbajxhani tha se 61 civilë janë vrarë dhe 282 janë plagosur. Ky shtet nuk publikon numrin e ushtarëve të vrarë.
Rajoni i Nagorni Karabakut, ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Por, që prej një armëpushimi të arritur më 1994, ky rajon është nën kontrollin e armenëve etnikë.
Top Channel