15 ditë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, demokrati Joe Biden vazhdon të kryesojë në sondazhet kombëtare ndaj presidentit republikan Donald Trump, ndërsa miliona amerikanë po votojnë para datës së zgjedhjeve.
Një kombinim rezultatesh nga sondazhet tregon se zoti Biden, ish-nënpresident dhe një faktor i skenës politike të Amerikës prej afro një gjysmë shekulli, me një epërsi prej 9 ose 10 përqind në shkallë vendi dhe ndoshta gjysmën e kësaj epërsie në shtetet që do të përcaktojë rezultatin. Presidenti Trump vazhdon të jetë i bindur se do të rizgjidhet.
Deri tani numri i votuesve të hershëm ka qenë i pashembullt për Shtetet e Bashkuara. Gati 28 milionë vetë kanë votuar, ose duke shkuar në qendrat e votimit, ose me postë. Shifra është e barazvlefshme me 20% e numrit të përgjithshëm të votave kur zoti Trump fitoi ndaj demokrates Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016 dhe 30% të tjerë mund të votojnë deri në ditën zyrtare të zgjedhjeve.
Disa nga votuesit u kanë thënë intervistuesve se ata votuan herët për të shmangur kontaktin me njerëz të tjerë në qendrat e votimit më 3 nëntor mes pandemisë së koronavirusit. Ndërkohë, disa demokratë kanë thënë se motivimi i tyre për të votuar herët ishte që të ishin ndër të parët që votuan për të rrëzuar Presidentin Trump, ndërsa sondazhet thonë se shumica e republikanëve synojnë të votojë personalisht në ditën e zgjedhjeve.
Bazuar në sondazhe, disa media tashmë parashikojnë që zoti Biden do të bëhet presidenti i 46-të i vendit në ditën e inaugurimit të 20 janarit dhe më i moshuari. Ai është 78 vjeç. Nëse humbet në zgjedhje, zoti Trump, do të ishte presidenti i tretë në detyrë i Shteteve të Bashkuara në katër dekadat e fundit, që do të humbiste garën për rizgjedhje për një mandat të dytë.
Edhe në zgjedhjet e kaluara, zoti Trump ishte pas, por ai fitoi pas një fushate intensive në shtetet vendimtare, përfshirë Pensilvaninë, Miçiganin dhe Uiskonsin. Faqja e sondazheve FiveThirtyEight.com thotë se në bazë të 40,000 kombinimeve të mundshme kompjuterike të zgjedhjeve del se zoti Biden fiton 88 herë në 100 skenarë të mundshëm, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e mundshme të votuesve, prirjet historike dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit në 50 shtetet e vendit.
Faqet e tjera të lajmeve tashmë sugjerojnë që Biden ka që tani një përparësi të mjaftueshme në shtetet vendimtare për të grumbulluar më shumë se 270 votave të nevojshme për të siguruar shumicën e 538 votave elektorale për të fituar presidencën në Kolegjin Zgjedhor. Vota popullore e Shteteve të Bashkuar nuk përcakton fituesin, por rezultatin në secilin prej shteteve, ku fituesi i votës në të gjitha shtetet përveç dy prej shteteve më pak të populluara, merr të gjitha votat elektorale të shtetit.
Rivalët Trump dhe Biden kanë bërë një fushatë intensive në shtetet vendimtare në ditët e fundit përpara debatit të dytë dhe të fundit të së enjtes mes tyre në Nashville, Tenesi. Trump zhvillon të hënën dy ndalesa fushate në shtetin jugperëndimor të Arizonës, të cilin e fitoi në 2016 por ku këtë vit, është pas zotit Biden që kryeson me një diferencë të ngushtë në sondazhet atje.
Zoti Biden nuk po bën fushatë të hënën, për t’u përgatitur për debatin. Nënpresidenti Mike Pence, bëri fushatë në shtetet verilindore Mejn dhe Pensilvani. Kandidatja demokrate për nënpresidente, senatorja nga Kalifornia Kamala Harris, bëri fushatë në shtetin juglindor të Floridës, një tjetër fushë-beteje.
Katër vjet më parë, zoti Trump humbi votën popullore ndaj demokrates Clinton me rreth 2%, gati 3 milion vota, por megjithatë i fitoi zgjedhjet sepse ai fitoi me diferencë të ngushtë në tre shtete veriore – Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsi – që tradicionalisht kishin votuar për demokratët. Në Kolegjin Zgjedhor, zoti Trump mblodhi të gjitha votat elektorale në ato tre shtete – dhe siguroi presidencën.
Sondazhet aktuale nga shteti në shtet nuk parashikojnë që zoti Trump të fitojë në shtetet ku fitoi zonja Clinton në 2016, ndërsa zoti Biden ka epërsi të lehta në disa shtete ku fitoi zoti Trump, përfshirë tre që e çuan atë në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me të tjerët ku rezultati është në dyshim. Presidenti Trump, 74 vjeç, vazhdon të parashikojë se do të fitojë. Por javën e kaluar, në një ndalesë fushate në shtetin jugor të Xhorxhias, ai foli për mundësinë e humbjes ndaj zotit Biden.
“A mund ta imagjinoni nëse humbas?” tha ai. “Nuk do të ndihem edhe aq mirë. Ndoshta do të duhet të largohem nga vendi, nuk e di.” Në shtete të tjera, ai u ka thënë votuesve se nuk do të kthehet për t’i parë përsëri nëse nuk ia bëjnë të mundur fitoren. Të dielën në mbrëmje në Nevada, zoti Trump pretendoi se tubimet e tij të mëdha me mijëra mbështetës në shtetet e kontestuara do ta çojnë atë drejt fitores, në kontrast me pjesëmarrjen modeste në takimet e zotit Biden, ku praktikohet distancimi fizik nga mbështetësit e tij që mbajnë maska./VOA
Top Channel