Vendimi i Shqipërisë dhe Greqisë që çështja e diskutueshme e përcaktimit të kufijve detarë t’i besohet një mekanizmi ndërkombëtar si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, është për Profesorin shqiptar të së Drejtës ndërkombëtare Xhezair Zaganjori “i mirë, por duket i parakohshëm”.

Zaganjori, i cili ka qenë dhe relatori i çështjes së marrëveshjes së detit më Greqinë në vitin 2009, në Gjykatën Kushtetuese tha për Zerin e Amerikes se sipas tij “është shumë shpejt për të nisur një procedurë të tillë”.

Për këtë, solli shembullin e mosmarrëveshjes mes Kroacisë dhe Sllovenisë për ndarjen e hapësirave detare në Gjirin e Piranit, ku dërgimi I çështjes në një gjykatë arbitrazhi “duhet te niste fillimisht përmes miratimit me referendum në Slloveni dhe në Parlament, në rastin e Kroacisë, sepse sovrani duhet ta dijë se përse bëhet fjalë. Cilat janë pretendimet konkrete të palëve dhe ku e përse lind mosmarrëveshja apo konflikti mes tyre që shtron nevojën për të shkuar në një mekanizëm ndërkombëtar”.

“Këtë – shpjegon profesori – kërkon në fakt edhe vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Ajo duhet të ketë marrëveshjen mes palëve për gjykimin e konfliktit, ku të përcaktohen qartësisht pozicionet e palëve si dhe pyetjet konkrete të cilave ajo duhet t’i kthejë përgjigje.Përndryshe nuk ka se si ta pranojë kërkesën e tyre. Zaganjori është i mendimit se “duhet bërë e qartë ku qëndron problemi dhe ku dallojnë palët në qëndrimet e tyre.

Duhet ditur se për cilën hapësirë detare bëhet fjalë”, pasi sipas tij “është e diskutueshme çështja e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive, por jo edhe ajo e ujërave territoriale në zonën e Kanalit të Korfuzit.

Top Channel