Besimtarët në faljen e Bajramit

Ora 20:00 dhe vetëm një pjatë ishte e shtruar në tavolinë për të ngrënë iftarin e asaj nate, ndryshe nga vitet e tjera, ku tavolina ishte e mbushur plot e përplot me fëmijët e tij.

Ora 20:00 dhe vetëm një pjatë ishte e shtruar në tavolinë për të ngrënë iftarin e asaj nate, ndryshe nga vitet e tjera, ku tavolina ishte e mbushur plot e përplot me fëmijët e tij. Kështu ishte një prej darkave të Halimit, besimtarit mysliman që ka 14 vite që agjëron, gjatë muajit të Ramazanit të këtij viti.

Ai shprehet se të hash me njerëzit që do më shumë në këtë botë, pasi ke agjëruar 15 orë është një nga ndjenjat më të bukura gjatë këtij muaji. 68-vjeçari e nisi lidhjen me besimin islam pasi u prek nga tumori në tru, 14 vite më parë dhe që prej asaj periudhe nuk e ka lënë asnjë vit agjërimin. Por ky vit e gjeti vetëm me gruan e tij, e cila nuk mundet që ta shoqërojë dot sepse nuk agjëron prej tensionit të lartë që e shoqëron prej vitesh. Rregullat e reja të vendosura nga qeveria shqiptare sollën mbylljen e njerëzve nëpër shtëpi prej sëmundjes ngjitëse dhe daljen me leje e orar të caktuar duke ndryshuar gjithë mënyrën e jetesës.

Pandemia e COVID-19 ndryshoi ritet e besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit, të cilësuar si muaji më i shenjtë i të gjithë vitit. Familje që nuk mund të mblidhen me njëra-tjetrën që të hanë iftare, të takohen apo të ndajnë një përqafim. Të jesh larg prindërve, fëmijëve apo të afërmve, ta kesh të ndaluar të shkosh në xhami për të kryer faljen, një prej 5 Shtyllave kryesore të islamit ishte e pamenduar për shumë besimtarë, të cilët nuk mund ta besonin se do t’ia arrinin kësaj dite.

Ka nga ata që mezi e presin këtë muaj të madhërueshëm që të sakrifikojnë në emër të Zotit, të marrin pjesë në teravit (falja që ndodh vetëm për muajin e Ramazanit), ku besimtarët pasi hanë iftarin shkojnë të luten në xhami. Shumë prej besimtarëve e krahasojnë këtë muaj të pazakontë me periudhën e komunizmit, ku nuk lejohej feja dhe besimtarët e kishin kthyer shtëpinë në një faltore për të mundësuar lidhjen me Zotin.

Halimi, i cili jeton në Kashar, një fshat i bukur 7 kilometra larg nga kryeqyteti, ka një histori të veçantë se si e krijoi lidhjen me fenë islame, në një moment të vështirë të jetës së tij.

“Sapo kisha ardhur nga Greqia pas operacionit e isha akoma sëmurë, ishte e xhuma (e premte) dhe më thirri një komshi që ta shoqëroja në xhami edhe thashë me vete edhe po të vdes në rrugë do të shkoj. Mora një bidon ujë dhe shkuam të faleshim tek ‘Medreseja’. Unë nuk dija, por duke parë të tjerët bëja edhe unë. Kurse të premten tjetër shkova vetëm. Tek ajo xhami jam falur 10 vite dhe më pas shkova tek Et’hem Beu derisa u hap xhamia këtu”, rrëfen Halimi.  ”Njeriu ka meleq qëkur lind nga barku i nënës e derisa jep shpirtin, një në krahun e djathtë e një në krahun e majtë, tri ditë meleku i djathtë nuk e lë të majtin që të shkruajë të këqijat sepse thotë se ai do të pendohet tek Zoti, por në qoftë se nuk ndodh, atëherë ai e shkruan të keqen”, shprehet besimtari.

68-vjeçari thotë se ky muaj ka qenë më i vështirë se vitet e tjera sepse nuk ka kryer ritet që ka bërë çdo vit, nuk ka shkuar në xhami që të falej, as në shesh për ditën e Fitër Bajramit. Për të festa këtë vit nuk u shijua aq sa duhej sepse “kënaqësia e Bajramit është të bësh vizita, të shkosh tek motrat e fëmijët, por këtë vit nuk kemi lëvizur, por shpresoj që të shkojmë vitin që vjen.” Mbyllja e xhamive dhe hapja 10 ditët e fundit e ka rritur pjesëmarrjen e besimtarëve në faljen e namazit ditën e Fitër Bajramit.

Vetë falja parashikon distancim të besimtarëve nga njëri-tjetri, është thirrje për lutje në bashkësi, të vendosur në rresht, ku këmba e njërit besimtar është e bashkuar me këmbën e besimtarit tjetër.

Në disa prej xhamive ka pasur distancë dhe janë vendosur shenjat, por në xhaminë ku ka shkuar Halimi nuk kishte ndodhur një gjë e tillë, pasi numri i besimtarëve ka qenë më i madh se sa vitet e tjera. Nga frika nuk kishte qëndruar brenda, por është falur jashtë. Në fund nuk i ka rezistuar dot përqafimit me miqtë pas një muaji sakrifice e solidarizimi. Halimi thotë se edhe një bashkësi që kishin maska, kur panë të tjerët i hoqën që të jepnin përqafimin me njëri-tjetrin. Vetë muaji i Ramazanit është sakrificë, por ky vit i gjeti të gjithë besimtarët me dyfish sakrificë prej përhapjes së COVID-it.

Pandemia njerëzve u kujtoi komunizmin: të dalin me leje, të shëtisin me orar dhe të kenë frikë nga thyerja e rregullave. Kështu ndodhi edhe me besimtarët të cilët në komunizëm nuk duhen kurrësesi ta shprehnin hapur që besonin në Zot, sepse atëherë Zoti ishte partia. Një nga besimtaret e nënshtruara të asaj kohe është edhe Mereme Valisi, e cila ka 29 vite që agjëron muajin e Ramazanit, që pas heqjes së regjimit anti-fetar. Gjatë punës në kooperativa kishte frikë që të agjëronte, sepse pronarët i detyronin që të hanin karamele gjatë muajit të Ramazanit me qëllim që të siguroheshin që nuk e kryenin ritin fetar. Kjo e detyronte që të mos e kryente këtë pjesë të islamit që mezi e priste vit për vit dhe shpresonte që të vinte ajo ditë që të mund të agjëronte si babai i saj.

”Ishte babai ai që na shtyu të ishim besimtare e të agjëronim, pasi ai ishte praktikant, i falte të 5-ta vaktet dhe bënte shumë bamirësi, pasi një prej detyrimeve vetjake të muajit të Ramazanit dhe të të gjithë jetës është dhënia e zekatit për më të varfërit apo të sëmurët”, shprehet ajo.

Meremja 63-vjeçare thotë se pas heqjes së këtij regjimi të tmerrshëm ajo nuk ka lënë asnjë vit pa agjëruar dhe kohë pas kohe Zoti ia ka bërë më të lehtë këtë sakrificë në emër të tij.

”Këtë vit çdo gjë ka qenë ndryshe, kam tre muaj pa takuar fëmijët, nipërit e mbesat. Nuk kam ndërruar një iftar me djalin apo vajzën që e agjërojnë. Çdo vit gjatë muajit të Ramazanit jemi mësuar të takohemi më shpesh, por këtë vit ka qenë shumë ndryshe”,thotë ajo .

Meremes i ka munguar edhe falja në sheshin Skënderbej ditën e Fitër Bajramit, ashtu siç e ka falur çdo vit bashkë me bashkëshortin e saj. “Këtë vit më mungoi zgjimi në orën 5 të mëngjesit dhe përgatitja për të falur namazin në sheshin ‘Skënderbej’. Është kënaqësi shumë e madhe të shikosh gjithë ata njerëz të bashkuar që falen për një Zot të vetëm që është Allahu”, tha Meremja.

Përjetimi i besimit tek një person i thjeshtë është i ndryshëm nga një Imam, i cili është diplomuar për fenë islame dhe zotëron më shumë informacion. Aorel Senja, Imami i Selitës në kryeqytet është shprehur se pandemia i ka shtyrë që të zbulojnë urtësitë që gjenden në situata të ndryshme, duke reflektuar më shumë në lidhje me jetën.

Ndryshe nga pjesa tjetër e vitit ne nuk kemi pasur më shumë kohë që të kalojmë me familjen dhe kjo pandemi ka edhe aspekte positive, pasi mësuam më mirë se ç’ishte familja. Një aspekt tjetër është liria e të dalurit dhe besimtarët që janë shumë të lidhur me objektet e kultit e kanë ndjerë më shumë këtë mungesë”, tha ai.

Theksoi se vlerat e adhurimit mbeten sërish të njëjta si në shtëpi dhe në xhami, kur ajo është e sinqertë dhe me vullnet. “Gjatë muajit të Ramazanit njeriu punon me veten e tij në brendësi gjë që jashtë këtij muaji ndodh shumë rrallë kjo. Ajo që i ka munguar më shumë besimtarëve është xhamia sepse ky muaj e ka përjetimin më të madh shpirtëror, edhe namazi i Ramazanit është më i gjatë se zakonisht pasi shkon deri në 1 orë, ndryshe nga falja e herëve të tjera që shkon deri në 5 minuta”, tha Imami.

Ai shprehet se në pjesën më të madhe të netëve të Ramazanit iftaret haen në darka falas ku mblidhen besimtarë të ndryshëm të zonës apo të vendeve të tjera.

“Ligjëratat, mësimet edhe këshillat nuk kanë munguar, pasi kemi qenë në komunikim nëpërmjet platformave të ndryshme sociale. Kemi qenë me fat, pasi shumë vende i kanë pasur të mbyllura xhamitë dhe nuk kanë mundur ta falin, kurse tek ne u hapën”, tha Senja.

Në ditën e fundit të gjithë muajit të sakrificës ai thotë se ishte e pamundur të ruhej distanca, pasi edhe ambientet e xhamisë janë të vogla. Gjithësesi shija e 10-ditëshit të fundit të hapjes së xhamive ngeli duke falur namaz, e mbajtur ligjërata. Në çdo vështirësi ka edhe lehtësime për njeriun mjafton që ai të jetë i gatshëm të ndryshojë realitetin e të përshtatet. Pavarësisht kufizimit të kryerjes së riteve fetare, lidhja e njeriut me Zotin ishte e njëjtë, pasi çdo vend mund të kthehet në mjedis faljeje.

Nga Erjona Dervishi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA