Rama pas mbledhjes së PS-së: E turpshme që kemi në zyrën e Presidentit një njeri që ka dalë nga shinat

20/10/2020 10:17
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbledhur këtë të martë drejtuesit politikë të PS-së në qarqe, në takimet e përjavshme.

Në një deklaratë për gazetarët pas mbledhjes Rama u pyet për deklaratën e Presidentit Meta, i cili e quajti PS-në një organizatë kriminale: Është vërtet fatkeqësi që përshkallëzimi i dhunës verbale dhe i marrëzisë nga ana e Metës po ndodh shumë përpara kohe në një kuptim, nuk e di ku do shkojë kaq herët sa ka filluar sepse nuk është hera e parë, por është e turpshme, për të gjithë ne që të kemi një individ në zyrën e Presidentit që ka dalë nga të gjitha shinat e funksionit të tij dhe ka vendosur veten dhe institucionin në dispozicion të një force të degraduar si partia prej së cilës ai vjen dhe shkon.

I ka përmbushur mazhoranca detyrimet për vakancat në GJK?

Rama: Nuk ka asnjë detyrë të drejtëpërdrejtë qeveria në këtë drejtim sepse sistemi është i pavarur prej nesh por në dijeninë time janë të gjitha mundësitë që procesi të vazhdojë normalisht e vendet të plotësohen.

Në fund kryeministri tha se në platformën e aplikimeve për ata që duan të bashkohen në PS, “në kaq pak ditë ka më shumë se 50 shprehje interesi,
dhe numri do rritet, procesi do jetë skrupuloz që të integrohen ata të duhurit”.

Top Channel