Bashkimi Europian e përshëndeti vendimin e Greqisë dhe Shqipërisë për t’i zgjidhur në Hagë mosmarrëveshjet mbi caktimin e zonave detare.

Përmes një postimi në Twitter, zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero e bëri të qartë se Brukseli e vlerëson përpjekjen për një zgjidhje paqësore të ngërçit.

“BE mirëpret njoftimin e qeverisë shqiptare dhe asaj greke për mënyrën sesi do të procedohet mbi mosmarrëveshjet e tyre detare. Çështjet që lidhen me përcaktimin e kufijve zgjidhen më së miri përmes dialogut, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në ndjekje të parimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Pisonero.

Ndarja e hapësirave detare u rikthye si prioritet në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë në korrik të këtij viti kur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, tha në Parlament se qeveria e tij “synon të zgjerojë hapësirat detare të Greqisë edhe në Detin Jon deri në 12 milje, bazuar në konventat ndërkombëtare” duke pasur parasysh marrëveshjet e arritura këtë vit për kufijtë detarë me Italinë dhe Egjiptin.

Top Channel