Ministria e Drejtësisë bën gati projektligjin e posaçëm për arbitrazhin, pritet të kalojë në Këshillin e Ministrave

20/10/2020 12:56

Në mungesë të një ligji të posaçëm për Arbitrazhin, Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se është e rëndësishme që Shqipëria të përgatisë kornizën ligjore për rregullimin e arbitrazhit vendas dhe ndërkombëtar. Brenda pak ditësh projekt-ligji i posaçëm për Arbitrazhin do të kalojë për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj  ka deklaruar  se ‘Përcaktimi i rregullave kombëtare për zhvillimin e arbitrazhit është vlerësuar si një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare, qendër merret në përputhje me programin politik të qeverisë 2017-2021, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës, garantimit të të drejtave të njeriut, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve midis shtetit dhe palëve private, apo palëve private me njëra-tjetrën dhe kundrejt detyrimeve të marra përsipër ndërkombëtarisht‘.

Ministrja Gjonaj e ka vlerësuar se miratimi i këtij projektligji dhe një mjedisi të mirërregulluar i fushës së arbitrazhit do të sillte impakt pozitiv për të gjitha grupet e interesit, ku vlen të veçohet komuniteti i investitorëve dhe bizneseve të huaja në vend, zhvillimi i mëtejshëm i të cilëve do të sjellë më shumë të hyra në buxhetin e shtetit dhe ndikime pozitive në ekonominë e vendit, duke i mundësuar kësisoj qeverisë të kryejë më shumë investime publike.

Miratimi i një ligji të posaçëm për Arbitrazhin do të sjellë rezultate pozitive në drejtim të konsolidimit të kuadrit ligjor për arbitrazhin, në kushtet kur projekt-akti përmban dispozita që rregullojnë si arbitrazhin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar. Përkatësisht, këto dispozita përfshijnë të përshtatura parashikimet e Konventës së Nju Jorkut ku aderon Shqipëria, konkretisht dispozitat që rregullojnë në parim detyrimin e shtetit për të njohur vendimin dhe marrëveshjen e arbitrazhit, si dhe dispozitat që rregullojnë paraqitjen e kërkesës për njohje.

Projektligji është hartuar nga Ministria e Drejtësisë me asistencën teknike të projektit “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (EURALIUS V) dhe do të paraqitet shumë shpejt për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit të Ministrave dhe mëtej në Kuvend.

Top Channel