Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi, përuruan laboratorin më të ri inovativ, BiblioTech “Misto Treska”, e katërta në kryeqytet.

“Ka gjithmonë një pyetje: Çfarë bën ti për rininë? “Jep peshk” apo mëson si peshkohet? Ka plot që “japin peshk”. Kur bën një kamp veror, do pimë të gjithë birra apo kafe me filan politikan? Ok, gjë e mirë është, një birrë, një kafe. Por, është thjesht një ambicie shumë e vogël. Ambicja jonë është ‘të mësojmë si peshkohet’. Brenda 7 ditëve kemi hapur qendrën Tumo, u hap Software Development Academy, (Akademia e Zhvillimit të Software-ve), që në fakt është për një moshë më të madhe. Kurse me UNICEF-in bëmë këtë projekt, që vjen për të gjitha moshat”,

Veliaj shtoi se Tirana dhe Shqipëria janë gati që të kapin revolucionin e katërt, që është ai digjital. Përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi u shpreh se këto biblioteka të reja ofrojnë një mundësi për të gjithë.

“Si në këtë bibliotekë, pra “Misto Treska”, por edhe në biblioteka të tjera publike, ku po zhvillohet i njëjti projekt, duhet të mbajmë parasysh se askush nuk duhet të mbetet pas. Si UNICEF, ndihemi shumë krenarë të shohim kontributin që kemi dhënë, në mënyrë që këto ide të materializohen. Edhe njëherë do të doja të falenderoja kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij për zhvillimin e këtij projekti”,

BiblioTech “Misto Treska”, e vendosur në Njësinë 10 në Tiranë, “Musine Kokalari”, në Njësinë 7, “Hamit Beqja” tek Njësia 8 dhe “Aleksandër Moisiu” në Njësinë 4, ofrojnë jo vetëm kënde leximi, por edhe logjistikë. Filtrimi i internetit e bën përdorimin e tij nga fëmijët dhe të rinjtë më pak të rrezikshëm nga tentativat keqadashëse për të abuzuar, apo shfaqur imazhe të papërshtatshme online për minorenët.

 

Top Channel