Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është mbledhur sot ku është ndërmarrë një tjetër hap i rëndësishëm mbi emërimet e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese për ta bërë këtë institucion funksional.

Në mbledhjen e KED sot u hodh shorti për caktimin e relatorëve për ndjekjen e procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendet e lira në gjykatën Kushtetuese.

Njoftimi i KED:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, të përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, si dhe të përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, ditën e sotme 20.10.2020, zhvilloi mbledhjen e radhës me këtë rend dite;

1. Zhvillimi i procedurës së shortit për caktimin e anëtarit relatorë për ndjekjen e proçedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve per vendin vakant , vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, shpallur në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur përsëri nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11742 datë 24.09.2020, për shkak të mbarimit parakohe të mandatit të gjyqtarit Besnik Imeraj.

2. Gjithashtu, po sot është hedhur shorti edhe për caktimin e anetarit relator per ndjekjen e procedurave te verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve per vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, shpallur në datën 28.08.2018, rishpallur në datën 21.08.2019 dhe rishpallur përsëri nga Kuvendi i Republikës me datë 24.09.2020, për shkak të mbarimit parakohe të mandatit të gjyqtarit Fatos Lulo.

Shtimi i pikës 2 në rendin e ditës, u bë në respektim të pikës 3 të Nenit 7/c të Ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe në përputhje me pikën 3 të Nenit 16 të Vendimit Nr.1 datë 08.02.2019 “Rregullore e Brendshme” e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Pas organizimit të këtij shorti, rezultatet janë si më poshtë vijon:

Vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese

1. Mandat i shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018/27.09.2019/24.09.2020

Relatore anëtare e KED: Zj. Vitore Tusha

Këshilltar: Sajmir Nazifi
Kandidati: Orkida Totojani
Altin Binaj
Aldona Sylaj

Këshilltar: Besmir Rapaj
Kandidati: Eugen Papandile
Ardita Buna Alsula

Këshilltar: Aulona Bodo
Kandidati: Shaqir Hasanaj
Ilir Hasnedari
Klajdi Mone

Këshilltar: Laureta Nezaj
Kandidati: Përparim Kalo
Aleksandër Toma

Vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese

2. Mandat i shpallur nga Kuvendi i Republikës në datën 28.08.2018/21.08.2019 /24.09.2020

Relatore anëtare e KED: Zj. Saida Dollani

Këshilltar: Laureta Nezaj
Kandidati: Ardita Buna Alsula

Këshilltar: Sajmir Nazifi
Kandidati: Altin Binaj

Këshilltar: Besmir Rapaj
Kandidati: Ilir Hasnedari

Me nisjen e kësaj faze, KED ka marrë të gjitha masat e duhura për të realizuar një proces të rregullt ligjor, efektiv dhe të shpejtë, nëpërmjet kryerjes së një hetimi dhe verifikimi të thellë e të kujdesshëm për secilin nga kandidatët konkurues për vendet vakante.

Megjithatë, pavarësisht nga angazhimi maksimal i këtij këshilli, thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.

KED shpreh edhe një herë angazhimin dhe gadishmërinë maksimale të të gjithë anëtarëve, për të realizuar me sukses përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta, në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Top Channel