Gjobat u fituan në Gjykatë/ Shumë qytetarë refuzuan të paguanin për ndëshkimin që morën gjatë pandemisë

19/10/2020 19:18

Qeveria nëpërmjet dy akteve normative, në muajin prill dhe tetor, vendosi të fal rreth 6200 shoferë të cilëve u ishte hequr patenta, leja e qarkullimit apo u ishin bllokuar edhe automjetet, për shkak të thyerjes së rregullave të karantinës.

Megjithatë pati edhe nga ata qytetarë të cilët refuzuan që të paguanin gjobat duke iu drejtuar dyerve të gjykatës.

Avokat, Ermal Hamataj, tregon se këto raste janë të shumta dhe se një pjesë e qytetarëve kanë arritur që të fitojnë çështjet në gjykata.

“Jo vetëm në gjykatën e Tiranës, por edhe në gjykatat e rretheve të tjera, rastet mund të jenë me qindra apo me mijëra. Askush nuk e përtypte dot faktin që të qëndronte pa patentë tre vite apo edhe pa makinë tre vite. Prandaj si shpresë panë gjykata”.

Por Hamataj thotë, se akti i fundit normativ për faljen e gjobave, nuk parashikon kthimin e shpenzimeve gjyqësore për qytetarët të cilët kanë fituar çështjet.

“ Dakord, do të marrin patentën mbrapsht, makinën e bllokuar, gjobën, por askund nuk thuhet që çfarë ndodh me shpenzimet e tyre gjyqësore, pasi janë shifra të konsiderueshme, që variojnë nga 50 mijë deri në 70 mijë lek të reja”.

Por falja dy herë e gjobave, ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të mos e marrin seriozisht, rregullin e mbajtjes së maskës në rrugë.

Që prej të enjtes së javës së shkuar, kur mbajtja e maskës në rrugë u bë me detyrim, nga kontrollet e policisë në të gjithë vendin, janë ndëshkuar me gjobë prej 3 mijë lek të reja 1555 qytetarë, për shkak se kanë lëvizur pa maskë.

Kryesisht, të rinjtë janë edhe ata që kanë refuzuar të mbajnë maskë, e madje të mos tregojnë mjetet e tyre të identifikimit. Por janë shoqëruar në komisariate për verifikim, janë gjobitur dhe më pas janë lënë të lirë.

Andi Bora

Top Channel