I gjendur përballë gazetarëve, teksa foli më së shumti rreth aktit normativ për mbajtjen e maskave jo vetëm në ambientet e mbyllura, Presidenti Ilir Meta u ndal edhenë një deklaratë të bërë në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti i PS-së, Bujar Çela, ku ky i fundit shprehej se kreu i shtetit duhet të izolohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

“T’u bëjnë thirrje të gjithë prokurorëve dhe të gjitha policive në botë, se presidenti këtu është gjithmonë. Dhe të shohim se kush do të izolojë presidentin. Zero shans! Izolimi i Shqipërisë nga Evropa është qëllimi. Presidentin këtu e kanë. Le të vijnë që të zënë këtë institucion. Unë i kam thënë të gjithë Shqipërisë dhe Botës se qëllimi është zhytja e Shqipërisë, izolimi”, tha Meta.

Deputeti Çela i bëri thirrje kryeprokurorit Olsian Çela, që të izolojë Presidentin Ilir Meta, pasi sipas tij, kreu i shtetit e ka mbushur kupën me ato që ka bërë.

“Ne kemi plot probleme, por ky grip, që unë do e quaja, një zjarr në mbarë globin, i cili na bën që të kemi edhe frikë dhe na ndërgjegjëson më shumë për t’u mbrojtur më shumë. Në rast se nuk mbrojmë veten, duhet të mbrojmë të tjerët. Është detyra jonë të dëgjojmë çdo organ këshillimor, të cilët ju qytetarë të dashur duhet t’i mirëkuptoni dhe jo t’i quajmë si teka, në mënyrën që i trajton opozita apo pseudo presidenti jonë. Unë nga kjo foltore inkurajoj kushëririn tim, kryeprokurorin, Olsian Çela, se ne Çelajt, si fis i madh që jemi, na bien detyra shumë të rëndësishme, që mos të merret me hetim, por të bëjë izolimin e këtij njeriu, i cili ka mbushur kupën me të gjitha gjërat.Këtë gjë nuk e duan vetëm Çelajt, e duan edhe Metët, e duan edhe ata nga Skrapari, Tepelena, Tirana, Durrësi, se kudo, si fis i madh që jemi kemi lloj-lloj brenda nesh. Nuk ka nevojë ta hetojë BKH-ja, por duhet ta izolojë. Ju faleminderit shumë dhe ju ftoj që t’i votojmë të gjitha ligjet që janë sot në rendin e ditës”, tha deputeti socialist i Lushnjes, Bujar Çela.

Top Channel