Kryenegociatori i afganëve në bisedimet e paqes viziton Iranin

18/10/2020 16:21

Kryenegociatori i Afganistanit për bisedimet e paqes ka arritur në Iran, teksa bisedimet e paqes me talibanët po mbahen në Doha të Katarit.

Negociatorët nga Qeveria afgane dhe talibanët që prej 12 shtatorit po zhvillojnë bisedime, për të krijuar kornizën e një marrëveshjeje, e cila do t’i jepte fund luftës 19-vjeçare në Afganistan.

Abdullah Abdullah, që udhëheqë Këshillin e Lartë Kombëtar për Pajtim – një trup që mbikëqyrë bisedimet e paqes me talibanët – arriti në Teheran më 18 tetor, për një vizitë treditore.

Irani është ndërmjetësuesi kryesor rajonal që ka pushtet mbi talibanët, por edhe mbi disa fraksione të politikës afgane.

Abdullah tha në Twitter se ai do të takohet “me udhëheqësin iraniane” dhe me ta do të “shkëmbej pikëpamje për bisedimet e paqes dhe për çështjet e rëndësishme dypalëshe, me qëllim që të promovohet bashkëpunimi dhe miqësia afatgjate”, mes dy vendeve.

Vizita në Iran e Abdullah vjen pasi ai vizitoi Pakistanin, një tjetër fuqi rajonale dhe një nga sponsorët kryesorë të talibanëve.

Marrëdhëniet mes Iranit me shumicë shiite dhe talibanëve, që janë grup sunitë, janë komplekse. Irani zyrtarisht kundërshton talibanët, por ekspertët thonë se Teherani i jep mbështetje ushtarake këtij grupi militant.

Vizita e Abdullahut në Teheran vjen pasi përfaqësuesi i posaçëm për Afganistan, Zalmay Khalilzad tha javën e kaluar se Irani “dëshiron ta mbajë SHBA-në në një luftë të pafitueshme dhe të kushtueshme në Afganistan”.

Sipas një marrëveshjeje të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në muajin shkurt, forcat e huaja do të largohen nga Afganistani deri në maj të vitit 2021, në këmbim të garancive të dhëna nga talibanët se nuk do të kryejnë sulme terroriste dhe se do të bisedojnë me Qeverinë afgane për të arritur një marrëveshje paqeje, e cila do të përfshinte një armëpushim të përhershëm

Top Channel