Kryeministri i uron ditëlindjen Filip Çakulit të “Fiks Fare”: Talent i spikatur, këmbët i puthen Tokën e Premtuar në Top Channel

18/10/2020 13:21

Filip Çakuli, drejtor i emisionit investigativ “Fiks Fare”, feston sot ditëlindjen. Një urim i veçantë vjen nga Kryeministri i vendit, Edi Rama.

“FILIP ÇAKULLI është një prej talenteve të spikatur të shoqërisë shqiptare, që tek humori gjeti kamerdaren e shpëtimit në detin e ferrit të diktaturës së proletariatit, ku kush nuk ngjeshej fort në kominoshen e Njeriut të Ri brenda Titanikut komunist, mund të mbytej sa hap e mbyll sytë nën goditjen e dallgëve të pamëshirshme”, shkruan Kryeministri Rama.

Rama kujton kohën kur drejtori Filip Cakuli u përfshi në Lëvizjen Demokratike, në Rilindjen Demokratike, në Partinë Demokratike, por mbeti njësoj i dyzuar e i dyshuar. Fill pas kësaj ” kamerdarja e tij të ngecte një ditë në gjirin e Top Channel-it”, shkruan Rama.

“Fati e desh që kamerdarja e tij të ngecte një ditë në gjirin e Top Channel-it dhe më në fund këmbët gjithnjë në ujë të Filipit të puthnin Tokën e Premtuar të dikujt si ai, që as e kupton e as e jeton dot jetën pa humorin si artin e komunikimit me të tjerët e të ndërveprimit me shoqërinë. Aty lindi nën komandën e Filip Çakullit edhe njësiti më subversiv i revolucionit kopernikan të Tanit të Topit në botën e medias shqiptare, “FIKS FARE”, i cili solli një nga ndryshimet më mbresëlënëse në historinë e humorit shqip, duke e kthyer humorin në një thikë jo me dy, po me dyzet presa!”.

Kryeministri kujton kohën kur janë takuar për herë të parë dhe shkruan: Sot që Filip Çakulli mbush nuk ka rëndësi se sa shumë vjeç, më kujtohet hera e parë kur e kam hasur fytyrën e tij dykuptimshe, në Lushnjë, në dritaren e apartamentit të vogël të poetit Bujar Xhaferri, ku babai i ardhshëm i “FIKS FARE”-s, futi kokën dhe tha, të rrojë Partia!

Kryeministri e mbyll postimin duke e uruar drejtorin e “Fiks Fare”: Të rrosh sa malet Filip, bashkë me partinë natyrisht!

 

Postimi i plotë i kryeministrit Rama:

#EDHE100💐

FILIP ÇAKULLI është një prej talenteve të spikatur të shoqërisë shqiptare, që tek humori gjeti kamerdaren e shpëtimit në detin e ferrit të diktaturës së proletariatit, ku kush nuk ngjeshej fort në kominoshen e Njeriut të Ri brenda Titanikut komunist, mund të mbytej sa hap e mbyll sytë nën goditjen e dallgëve të pamëshirshme.

Me atë kamerdare Filipi erdhi vërdallë rrotull Titanikut, herë u zhyt si polumbar, herë u ngjit marinar e herë u përvodh si peshkatar, herë u pa si shpëtimtar e herë u duk si notar, në një karrierë ku nga afër ai i ngjante kapitenerisë si shërbëtor i popullit e nga pak më larg i përngjante si gjarpër në gji, derisa Titaniku u mbyt dhe Filipi doli pa lagur në bregun e lirisë. I rrahur me vaj e me uthull, i lexuar e i papërtuar, po mbi të gjitha mjaftueshëm i aftë për të mos e marrë veten aq seriozisht sa për t’u ngjeshur fort në kominoshen e re të demokracisë dhe mjaftueshëm i regjur sa për të mos e mbajtur kamerdaren e vjetër si të vetmin mjet të pandashëm prej vetes, Filip Çakulli u përfshi në Lëvizjen Demokratike, në Rilindjen Demokratike, në Partinë Demokratike, po mbeti njësoj i dyzuar e i dyshuar.

Fati e desh që kamerdarja e tij të ngecte një ditë në gjirin e Top Channel-it dhe më në fund këmbët gjithnjë në ujë të Filipit të puthnin Tokën e Premtuar të dikujt si ai, që as e kupton e as e jeton dot jetën pa humorin si artin e komunikimit me të tjerët e të ndërveprimit me shoqërinë. Aty lindi nën komandën e Filip Çakullit edhe njësiti më subversiv i revolucionit kopernikan të Tanit të Topit në botën e medias shqiptare, “FIKS FARE”, i cili solli një nga ndryshimet më mbresëlënëse në historinë e humorit shqip, duke e kthyer humorin në një thikë jo me dy, po me dyzet presa!

Sot që Filip Çakulli mbush nuk ka rëndësi se sa shumë vjeç, më kujtohet hera e parë kur e kam hasur fytyrën e tij dykuptimshe, në Lushnjë, në dritaren e apartamentit të vogël të poetit Bujar Xhaferri, ku babai i ardhshëm i “FIKS FARE”-s, futi kokën dhe tha, të rrojë Partia!

Të rrosh sa malet Filip, bashkë me partinë natyrisht!

#TëRRALLË

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA