SHBA/ Kandidatja për Gjykatën e Lartë, më pranë konfirmimit

17/10/2020 04:24

Gjykatësja Amy Coney Barrett, e emëruar nga Presidenti Trump për të mbushur vendin e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë pas vdekjes muajin e kaluar të ish-anëtares së Gjykatës Ruth Bader Ginsburg, kaloi pengesën e parë në procesin e konfirmimit, pas përmbylljes dje të seancave katër ditore me pyetje-përgjigje në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin. Ajo nuk pranoi të jepte një përgjigje të qartë për një numër çështjesh që nga aborti e deri te e drejta e armëmbajtjes. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson shpjegon hapat e tjerë të procesit:

Një parathënie e betejës që pritet:
“Nuk do të qëndroj në qoshe dhe të ndjek në mënyrë pasive se si një kandidate e republikanëve po dërrmohet, pasi vetë kam treguar respekt për dy kandidate të demokratëve. Nuk është e drejtë,” tha Senatori republikan Lindsey Graham. Demokratët shprehën kundërshtim ndërkohë që kandidatja e emëruar nga Presidenti Trump për anëtare e Gjykatës së Lartë kalon në fazën tjetër të procesit vetëm pak javë para zgjedhjeve.

“Ky emërim në këtë moment, jo vetëm që është i pazakontë, por është nën nivelin e dinjitetit të këtij komisioni,” tha Senatori demokrat Dick Durbin. Gjatë dy ditësh të gjata me pyetje, zonja Barrett nuk ofroi shumë hollësi mbi qëndrimin e saj lidhur me çështje që ndikojnë tek miliona amerikanë: “Nuk mund të mbaj qëndrime lidhur me politika specifike apo të shpreh pikëpamjet e mia personale para komisionit, pasi pikëpamjet e mia personale nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si marr vendime gjyqësore,” tha zonja Barrett.

Filozofia e saj juridike u lavdërua nga republikanët:
“Gjykatësit emërohen për gjithë jetën. Nëse fillojnë të bëjnë ligje, nuk ke si i heq nga posti,” tha Senatori republikan Chuck Grassley. Demokratët reaguan me shqetësim, duke thënë se nëse konfirmohet, Gjykatësja Barrett mund të jetë pjesë e votës që rrëzon ligjin për kujdesin shëndetësor, të njohur si Obamacare. “Sigurimet shëndetësore të miliona amerikanëve janë në rrezik me këtë emërim,” tha Senatorja demokrate Dianne Feinstein. Por fillimisht Gjykatës së Lartë mund t’i duhet të marrë vendim mbi përplasje që mund të lindin lidhur me votat në mungesë.

“Nëse ajo voton në favor të presidentit në një padi lidhur me zgjedhjet, do të shkaktonte dëm të madh për gjykatën, por edhe për demokracinë tonë,” tha Senatori demokrat Patrick Leahy. Anketat tregojnë se një shumicë e ngushtë amerikanësh besojnë se emërimi duhet të bëhet pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Por ndërsa amerikanët mësojnë më shumë për zonjën Barrett, nënë me shtatë fëmijë dhe katolike e devotshme, mbështetja për kandidaturën e saj po rritet. Ndërkohë që ka filluar votimi i hershëm, procesi i konfirmimit të saj mund të ketë ndikim te vendimet e votuesve:

“Të pakta janë ato tema që i bashkojnë republikanët si emërimi i një kandidati për Gjykatën e Lartë apo e drejta e abortit. Anëtarët konservatorë të Gjykatës janë shumë të rëndësishëm për platformat e republikanëve, përfshirë atë të Presidentit Trump. Por në anën demokrate, sidomos tani pas vdekjes së Gjykatëses Ginsburg, ky bëhet një faktor shumë motivues,” thotë analisti Casey Burgat. Demokratët e pranojnë se konfirmimi i zonjës Barrett është thuajse i garantuar në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Nuk dola nga ky proces duke qarë se po humbasim. Sepse ky proces po nxit njerëzit të votojnë. Republikanët vendosën ta bëjnë në mes të votimeve, atëherë, le të dalim të votojmë,” tha Senatorja demokrate Amy Klobuchar. Komisioni i Senatit për Gjyqësorin kthehet të hënën për t’u përgatitur për t’ia dërguar emërimin e zonjës Barrett Senatit të plotë për votim në javën e fundit të tetorit./VOA

Top Channel