Rriten infektimet! Francë, hyjnë në fuqi këto masa të reja

17/10/2020 14:07

Masat e reja kundër koronavirusit hynë në fuqi të shtunën në Paris dhe në qytete të tjera të mëdha të Francës.

Ky vendim i autoriteteve franceze vjen pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19. Nga ora 21:00 deri në orën 6:00 do të ketë ndalim qarkullimi, që prek të paktën 20 milionë njerëz. Dhe hyrja në fuqi e masave të reja, vjen pasi një ditë më parë, autoritetet regjistruan mbi 25 mijë raste të reja në vend. Ndërsa ndalimi i qarkullimit gjatë natës, ka marrë mbështetjen e publikut, zyrtarët në disa qytete franceze druajnë se masat do të kenë ndikim të madh në aspektin social dhe ekonomik.

Masat në Francë do të jenë në fuqi për të paktën katër javë. Pronarët e restoranteve kanë kundërshtuar ndalimin e qarkullimit, duke thënë se kjo nuk ka kuptim, për shkak se tashmë autoritetet kanë vendosur rregulla strikte të distancës fizike. Në mbarë Francën po ashtu janë ndaluar dasmat dhe festat e tjera publike dhe njerëzit janë udhëzuar që edhe në vizitat në shtëpi të mos ketë më shumë se gjashtë persona në një vend.

Në gjithë Evropën së fundmi është regjistruar një numër i lartë i rasteve të reja me koronavirus. Në 24 orët e fundit, Gjermania ka regjistruar 7,830 raste të reja – shifra më e lartë e infektimeve ditore që kur ka filluar pandemia. Në Austri, qeveria ka njoftuar se ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg është infektuar me koronavirus, pasi kishte marrë pjesë në një takim me homologët e tij të Bashkimit Evropian më 12 tetor, ndaj si masë parandaluese i gjithë i është nënshtruar testit për COVID-19. Italia po ashtu synon të vendosë masa të reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ndërsa brenda 24 orëve u regjistruan 8,804 raste të reja me këtë virus.

 

Top Channel