Kapen shqiptarët me diskotekën 3-katëshe të kthyer në “shtëpi kanabisi” në Angli

17/10/2020 17:40

Policia britanike tha sot se ka zbuluar në qytetin e Coventry një fermë gjigande artizanale kanabisi, të shtrirë në 3 katet e një ish-diskoteke, që menaxhohej nga dy shqiptarë dhe një vietnamez.

Punishtja me më shumë se 1,000 rrënjë kanabis me vlerë rreth 1 milionë paundë, u zbulua kur oficerët thyen dyert e përforcuara të ndërtesës gjatë operacionit të specializuar në Coventry.

Dy të dyshuar tentuan të largohen prej saj, të cilët u gjurmuan më pas me dronë nga autoritetet dhe u kapën.
Policia tha ishte habitur nga përmasat e “fermës” me teknika të sofistikuara kultivimi, mbjelljeje dhe ujiteje, të realizuara me pajisje me vlerë më shumë se 150,000 paundë.

Të tre të akuzuarit dolën sot para gjyqit fillestar ku morën masën e paraburgimit për prodhim të drogave të kategorisë B (dytësore).

Shqiptari Andi Qani, 24 vjeç, dhe vjetnamezi Cao Van Vu, 31 vjeç, do të dalin përsëri në gjyq në 12 nëntor. Ndërsa 28 vjeçari shqiptar Adrian Lieshaj, rezultoi i kërkuar edhe në Gjermani për grabitje dhe është objekt ekstradimi atje, prandaj është dërguar në Londër.

Komandanti i policisë Adam Warnock tha: “Ky është një sekuestrim i konsiderueshëm drogash me pasoja për grupet e krimti të organizuar, duke u hequr atyre mjete dhe fitime të konsiderueshme”.

“Kjo është sigurisht një nga zbulimet më të mëdha të këtij lloji me teknika të sofistikuara në tre kate të një ndërtese të madhe”.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel