Inceneratori është në punë/ Në impiantin e Elbasanit, mbetjet e qytetit trajtohen falas

17/10/2020 15:10
Pamje nga inceneratori

Impianti i Përpunimit të Mbetjeve urbane të Elbasanit punon që prej vitit 2016.

Fillimisht këtu u krijua landfilli ku u grumbulluan mbetjet urbane të Bashkisë së Elbasanit dhe më pas në vitin 2017 nisi incenerimi i tyre. Që prej asaj kohe e çdo ditë Bashkia e Elbasanit sjell këtu rreth 80 tonë mbetje urbane çdo ditë.

Por impianti është konceptuar në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e të gjithë qarkut të Elbasanit. Nisur nga kjo, por edhe për të shpëtuar nga problem I ndotjes së mjedisit në këtë qark, aktualisht këtij impianti I janë bashkuar edhe bashkitë e Librazhdit, Cërrikut e Belshit. Të 4 këto bashki depozitojnë mbetjet urbane të tyre në këtë impiant pa pagesë.

Për ndërtimin e këtij impianti është përdorur fjala e fundit e teknologjisë. Këtu grumbullohen mbetjet, më pas ato ndahen në të riciklueshme dhe të pariciklueshme dhe më pas bëhet incenerimi i tyre.

Të gjitha procedurat për ndërtimin e këtij impianti janë zhvilluar nga Ministria e Mjedisit, në kontratën e së cilës është parashikuar që impianti të menaxhohet për 7 vite nga kompania dhe më pas të kalojë në dorëzim të Bashkisë së Elbasanit.

Në dhjetor të vitit 2021 Bashkia e Elbasanit do të duhet të marrë në dorëzim impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane. Procedurat për trajnimin e punonjësve do të nisin 6 muaj para.

Top Channel