Akuzat e Bashës për Inceneratorin e Elbasanit/ Drejtori: Hajdeni në çdo kohë e faktojeni, funksionon që nga viti 2016

17/10/2020 12:58
Enea Murataj, Drejtori i Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve të Elbasanit

Enea Murataj, drejtuesi i Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve të Elbasanit ka sqaruar edhe një herë se inceneratori i Elbasanit punon që prej vitit 2016 dhe prodhon energji, ndryshe nga sa pretendon PD.

Në mur shikohet qartë letra e ngjitur ku shkruhet “Zoti Basha mos gënje”. Me anë të një deklaratë për mediat, krah kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, Murataj tha se fakti që nuk ka një faturë, nuk ka të bëjë që nuk është funksional, por sepse Enti Rregullator i Energjisë (ERE) nuk i ka caktuar çmimin.

Ai ka ftuar kryedemokratin Lulzim Basha që të vijë në çdo kohë dhe të shohë se çfarë bëhet.

 “Impianti ka punuar normalisht, të gjitha mbetjet përpunohen sipas shkallëve së menazhimit të mbetjeve, që nga selektimi, i materialeve të riciklueshme, mbetje organike që është shumë e vogël dhe një pjesë tjetër shkon për inceneratorë. Në fillim erdhën akuza që do vinin mbetje nga Europa, por këtu po digjen vetëm të Elbasanit. Pastaj erdhi një akuzë tjetër, që këtu digjej naftë, akuza të shumtë nga kanë ardhur ditë pas dite, pronarë të vërtetë janë shqiptarë dhe të regjistruar në QKB. E gjithë sasia e energjisë injektohet në rrjet dhe kjo faktohet nëpërmjte matësit, dëgjojmë që nuk injektohet apo nuk prodhohet, nuk ka një faturë se nuk është caktuar çmimi, por që injektohet mund të faktohet shumë lehtë. Që nga 2016 Bashkia e Elbasanit sjell rregullisht mbetjet e saj, makina tona sjellin në mënyrë të vazhdueshme mbetje, që me parë hidheshin në lumin Shkumbin, një investim i qeverisë që është bërë, i shumë kërkuar nga qytetarët, nga Këshilli Bashkiak, që në 2015 kishte shpallur gjendjen e emergjencës, njerëzit nuk ndenin dot rrobat nga ndotja. Ka një kontratë që mbaron në 16 dhjetor 2021, procedurat për të filluar procesin e marrjes në dorëzim fillon 6 muaj para, pra në qershorin e vitit tjetër. Jemi 7 muaj para afatit të fillmit të marrjes në dorëzim”, tha Murataj.

Kurse Llatja tha se prej viti 2016 Bashkia e Elbasanit dërgon mbetjet në këtë incenerator dhe nuk paguan asnjë lek.

 “Zero para paguan Bashkia e Elbasanit, që në vitin 2016, paguajmë edhe sot 0 lekë, jo vetëm Bashkia e Elbasanit, por të gjitha Bashkitë. Një proces që ka nisur që në 2016, nuk ka pasur asnjë ditë ndërprerje”, tha Llatja.

Top Channel