Të ardhurat, 290 milionë euro më pak/ Rënie në mbledhjen e disa taksave për shkak të pandemisë

16/10/2020 15:06

Ecuria e treguesve buxhetorë, veçanërisht në drejtim të të ardhurave tregon se ekonomia po rimëkëmbet me hapa të ngadaltë dhe është ende larg situatës normale të para pandemisë.

Gjatë 9-mujorit buxheti grumbulloi 307.8 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 35.7 miliardë lekë ose rreth 290 milionë euro kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Për janar- shtator, rënia më e madhe erdhi nga tatimi mbi të ardhurat personale me rreth 94 milionë euro ose 31.1% më pak se në 2019-ën, për shkak të mbylljes së dhjetëra mijëra vendeve të punës si pasojë e Covid-19.

Shtyrja e pagesave të tatimit mbi fitimin në ndihmë të bizneseve të prekura nga pandemia ka bërë që edhe të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë të tkurren ndjeshëm me rreth 26.6%.

Rënie kanë shënuar gjithashtu edhe të ardhurat e grumbulluara nga TVSH-ja me rreth 10% për 9-mujorin e këtij viti, taksë e cila siguron rreth 40% të të ardhurave totale në buxhet.

Por, teksa të ardhurat në arkën e shtetit kanë rënë ndjeshëm, shpenzimet nga ana tjetër kanë ndjekur kahun e kundërt.
Të dhënat e Financave tregojnë se për Janar- Shtator shpenzimet arritën në 366.2 miliardë lekë, rreth 20.4 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, rritje e cila ka ardhur për plotësimin e dy paketave financiare në mbështetje të bizneseve dhe individëve të prekur nga kriza.

Një ecuri e tillë e të ardhurave dëshmon se ekonomia e vendit gjendet në vështirësi të mëdha, ccka mund të detyrojë qeverinë të ulë ndjeshëm shpenzimet për investime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA