Shkencëtarët bashkohen kundër imunitetit të tufës

16/10/2020 01:06

Ideja për të ndaluar virusin përmes arritjes së imunitetit të tufës, është një gabim i rrezikshëm, që nuk mbështetet nga asnjë provë shkencore.

Mbajtja nën kontroll e përhapjes së virusit, përmes rregullave që duhen respektuar, është mënyra më e mirë për të mbrojtur shoqërinë dhe ekonominë deri në arritjen e terapive dhe vaksinave efikase dhe evitimit të izolimeve të tjera.

E ky është mendimi unanim i 80 shkencëtarëve nga e gjithë bota, me kompetenca të ndryshme shkencore, mes të cilëve epidemiologë, pediatër, virologë, psikologë etj, që kanë shkruar një letër të hapur të botuar në revistën The Lancet. Sipas tyre, përpjekja për të arritur imunitetin e tufës, është shumë e kushtueshme në kuptimin e jetëve njerëzore dhe nuk do të arrinte sidoqoftë të ndalonte virusin, që do të kthehej akoma më shumë në valë të reja, të përsëritura.

Ndërkohë, janë gjithnjë e më të shumta provat sipas të cilave imuniteti pas infektimit me koronavirusin e ri zgjat vetëm pak muaj dhe më pas zhduket. Reagimi pason jë deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, që theksonte se nuk do të donte të kufizonte pandeminë me masa shtrënguese por të shkohej drejt imunitetit të tufës. Mbështetësit e imunitetit të tufës, thonë ekspertët gabohen kur thonë se në përfundim do të mbrohen personat më vulnerabël.

Përveç kostos njerëzore, insistojnë shkencëtarët, ai do të kishte edhe pasoja tek forca e punës dhe do të tejkalonte aftësitë e sistemeve shëndetësore. Për më tepër, nuk ka prova për një imunitet që zgjat dhe një strategji e tillë, nuk do t’i jepte fund pandemisë por do të përkthehej në epidemi që rikthehen.

Top Channel