Sa të diskriminuar janë shqiptarët në Mal të Zi?/ Flet politikani: Ambasada Shqiptare atje është goditur me gurë

16/10/2020 14:07

Pas paralajmërimit që bëri në studion e emisionit “Shqipëria Live”, kryetarja e “Foleja Kombëtare Shqiptare”, Elida Jorgoni është shpallur person “non grata” në Mal të Zi.

Kjo pasi asokohe në emision ajo deklaroi se më datë 15 tetor do të shkonte së bashku me maratonomakun shkodran, Irfan Domnorin, në Triesh në Mal të Zi, për të vendosur flamurin kuq e zi. Ndërkaq, diskriminimi i pakicave shqiptare në Mal të Zi ishte temë diskutimi në studion e emisionit “Shqipëria Live”. I pari që e mori fjalën ishte gazetari Arbër Hitaj. Ai tha se pakicat shqiptare në Mal të Zi janë diskriminuar së tepërmi, ku së fundmi është goditur me gurë edhe Ambasada Shqiptare.

Kjo sipas tij, është një shenjë e hapur agresioni që malazeztë kanë ndaj shqiptarëve.

“Mali i Zi ka probleme të theksuara për respektimin e pakicës shqiptare atje. Kemi pasur edhe episode dhune të hapura dhe dukshme, sidomos nga partitë serbe, që dolën fituese atje. Patjetër, Shqiptarët në Malin e Zi dhe në luginën e Preshevës duan një vëmendje nga Ministria e Jashtme sepse janë të diskriminuar. Pas fitores së partive serbe në Mal Të zi, ka pasur përdorim dhune. Forcat serbe kanë dalë fituese dhe do të ketë një diskriminim më të përhapur. Pak kohë më parë Ambasada e Shqipërisë ka qenë në mbrojtje sepse janë thyer xhamat atje”, tha Hitaj.

Juristja shqiptare në Mal të Zi, Mariama Ujkaj diskutoi rreth shpalljes “non grata” të kryetares së “Foleja Kombëtare Shqiptare, Elida Jorgoni. Ajo tha se këtë vendim të dhënë duhet ta apelojë me forcë dhe të kërkojë në të gjitha organet të drejtën e saj.

“Sipas ligjit në Mal të Zi, unë e kam parë atë vendim dhe nuk kanë treguar arsyen se përse ka ndodhur kjo. Në bazë të ligjit, nuk do të jetë e arsyeshme të shkruhet së bashku arsyeja. Gruaja në fjalë duhet të ankohet për të mësuar problemin. Ato janë punë administrative që ne na penalizojnë shpesh herë, ajo zonja të shfrytëzojë të drejtën e saj dhe të ankohet. Ajo të shfrytëzojë mundësitë ligjore në maksimum. Jam e sigurt që do të gjendet një bashkëpunim mes dy shteteve në këtë problematikë. Mendoj që ky problem duhet të administrohet më mire”, u shpreh juristja.

Ndërkohë, Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare në Malin e Zi, Nikollë Camaj, tha se rastet e diskriminimit ndaj shqiptarëve kanë qenë të vazhdueshme, për këtë ai përmendi rastin e goditjes me gurë të Ambasadës Amerikane dhe episode të ndryshme me në fokus simbolet kombëtare.

“Kam dijeni për raste të ngjashme, kanë dënuar dhe tifozin që po kthehej nga Evropa. Në thirrje të tilla Shqipëria nuk ka reaguar. Nishani i dha një dekoratë Gjukanovi dhe unë thash asokohe që ai nuk duhet dekoruar. Nuk është rasti i vetëm. Opozita bën politikën e vet, por është e pamundur që persona gjuajnë mbi ambasadën Shqiptare dhe nuk dënohen, sepse aty ka shumë kamera. Ligji me aprovimin e bërë është diskriminues. Qytetarët kanë vendosur një flamur në shtëpi dhe nëse irritohet një qytetar malazez atëherë ai person dënohet me 300-400 euro, ka pasur raste plot. Ka pasur shkelje flagrante”, tregoi Camaj.

Top Channel