Putin shpreh shqetësim te Erdogan për prezencën e mercenarëve sirianë në Nagorno-Karabak

16/10/2020 18:55

Kremlini njoftoi sot se presidenti rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike me liderin turk Rexhep Tajip Erdogan ka shprehur “shqetësim serioz” për prezencën e militantëve nga Lindja e Mesme në zonën e konfliktit mes Armenisë e Azerbaixhanit.

Telefonata mes Putin e Erdogan raportohet se u bë në iniciativën e palës turke dhe subjekti kryesor i bisedës ishte konflikti në Nagorno-Karabak.

“Ne shpresojmë që Turqia si anëtare e Grupit të Minskut të OSCE, do të japë një kontribut kostruktiv në ulen e tensioneve të konfliktit,” thuhej në deklaratën e Kremlinit.

Presidenti rus i tha Erdogan se ishte “shumë i shqetësuar për prezencën e militantëve nga rajoni i Lindjes së Mesme në operacionet ushtarake atje”.

Të tjera tema të bisedës përfshinin Libinë, Sirinë dhe luftën kundër pandemisë së COVID-19.

“Ka një interes të përbashkët në luftën kundër  pandemisë së koronavirusit, siç është bashkëpunimi në krijimin dhe prodhimin e vaksinës”, tha shërbimi i shtypit i Kremlinit.

Ndërkohë Armenia pretendon se Turqia po ndihmon ushtarakisht Azerbaixhanin në konflikt, duke dërguar specialistë ushtarakë, pajisje dhe avionë gjuajtës F-16 në Azerbaixhan. Baku dhe Ankara i mohojnë pretendimet.

FOTO GALERI
1/20
Artileria e ushtrise se Azerbaxhanit

Top Channel