Phizer, kërkesa për miratimin e vaksinës nga SHBA, pas zgjedhjeve

16/10/2020 18:40

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer njoftoi të premten se në fund të nëntorit mund të paraqesë kërkesën pranë autoriteteve amerikane për përdorimin e vaksinës kundër COVID-19, për të cilën po punon së bashku me kompaninë gjermane BioTech.

Pfizer tha se mund njoftojë nëse vaksina do të jetë e sigurtë deri në fund të këtij muaji, bazuar në provat klinike me 40,000 persona, por shtoi se ka nevojë për të dhëna të sigurta të cilat nuk do të jenë në dispozicion deri në nëntor.

“Më lejoni të jem i qartë, duke supozuar se kemi të dhëna pozitive, Pfizer i do të aplikojë për të kërkuar autorizim për përdorim urgjent të vaksinës në SHBA menjëherë pasi të arrihet niveli i sigurisë, në javën e tretë të nëntorit”, shkruante shefi Ekzekutiv i Pfizer-it Albert Bourla.

Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se vaksina kundër COVID 19 do të ishte në dispozicion para zgjedhjeve, ndryshe nga pohimet e ekpertëve të shëndetësisë. Mundësia e vonesave të mëtejshme në prodhimin e vaksinave u rrit pas pezullimit pak kohë më parë të provave klinike për dy vaksina rivale. Njoftimi i firmës Pfizer e bën praktikisht të pamundur prodhimin e një vaksine para zgjedhjeve të nëntorit.

Komentet e presidentit për nxjerrjen në treg të vaksinës kanë krijuar shqetësime se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, e ndodhur nën presion, mund të nxitojë dhe të mos kryejë procesin e duhur të kontrollit për dhënien e autorizimit për vaksinën.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë janë përpjekur të zbusin shqetësimet nga frika se shumë amerikanë mund të mos pranonin ta bënin atë. Në fillim të këtij muaji, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave u kërkoi zytarisht prodhuesve të vaksinave që të sigurojnë dy muaj të dhëna lidhur me sigurinë e vaksinës për gjysmën e pjesëmarrësve në prova klinike./VOA./

Top Channel