Nga një bombë ekologjike, në park me 10 mijë pemë, Veliaj: Ndryshimi në Sharrë si nata me ditën

16/10/2020 19:19

Ndryshimi që ka ndodhur në Sharrë është i pabesueshëm, ku malet me plehra janë zëvendësuar me 10 mijë pemë të mbjella e ajër më të pastër për të gjithë Tiranën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi inceneratorin e Sharrës, i cili ka transformuar të gjithë zonë, që dikur ishte një vendgrumbullim i madh me plehra që ndoste ajrin e Tiranës.

“Këtu ka qenë mali më i madh i plehrave në Ballkan, ndotësi më i madh i qytetit dhe një bombë ekologjike e jashtëzakonshme. Këtu kemi pasur një situatë ku prej vitesh vetëm janë djegur plehrat dhe prej vitesh vetëm janë depozituar pa kriter. E gjitha ishte një katastrofë jo vetëm ekologjike, por edhe një katastrofë njerëzore. Pra këtu ishte kthyer në një xhungël plehrash ku nuk pyeste i pari të dytin”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se në momentin që pemët kanë hedhur shtat dhe e gjithë zona është gjelbëruar, ajo do të hapet edhe për publikun, që të shohë transformimin e asaj që dikur ishte veçse një mal me plehra. Veliaj u bëri thirrje demokratëve që të distancohen nga PD e cila është kthyer nga Lulzim Basha në një armë shantazhi ndaj bizneseve.

“U bëj thirrje demokratëve sot, nëse e kanë kuptuar që partia e tyre është vënë në funksion vetëm të një familjeje, që partia e tyre sot është kthyer në një armë shantazhi për të pasuruar vetëm një familje, atëherë ata duhet të largohen nga kjo parti. Ajo nuk është më Partia Demokratike e idealeve të dhjetorit, nuk është më PD-ja e atyre që bërtisnin Liri dhe Demokraci, nuk është PD-ja që ka qenë një kundërshtare e denjë e jona për idetë e djathta, kur ne kishim idetë e majta. Nuk është më partia e Gramoz Pashkos, as e Azem Hajdarit, është sot një parti e cila funksionon si një mjet gjobëvënës, si një mjet shantazhues për të gjithë ata që do të duhet të paguajnë haraçin për një ndërtim, një biznes, një sipërmarrje në mënyrë që të punojnë të qetë. Nëse kjo qeveri dhe kjo bashki ka arritur që të bëjë të njëjtën punë me 30 % më pak, ata vajtojnë fitimin e munguar dhe gjobat që nuk volën dot”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë iu drejtua me një mesazh edhe Jorida Tabakut, e cila ka qenë në kohën e Bashës nënkryetare Bashkie. “Mikeshës time, Joridës, që ishte këtu sot dhe gënjeu paturpësisht, i them: ne të dy do i rrisim fëmijët këtu, Lul Basha tashmë është i ikur, është i mundur, do vazhdojë të mundet, por po shikon vetëm interesin e vet, jo të familjeve tona dhe jo të familjeve të këtij qyteti. Për Bashën kam vetëm një fjalë të fundit: A ke cipë, a ke turp? A të vjen ndot nga vetja dhe mënyra sesi ke degraduar një nga fuqitë më të mëdha politike të vendit, Partinë Demokratike, në një forcë gjobvënëse? Tironcit kanë një shprehje: Përtej turpit, kur të plas cipa, çdo gjë tjetër është rehat. Ti Lul je rehat, sepse të ka plasur cipa me kohë. Sa ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës i faturoje 30% më shumë për mbeturinat, tani që je kryetar i PD-së faturon çdo ditë gjobat. I ftoj kompanitë, mos paguajnë gjobë. Për sa kohë që paguani taksa dhe për sa kohë që shlyeni detyrimet e këtij vendi, nuk ka nevojë të paguhen gjoba ekstra-ligjore në ato kompani familjare apo në ato skema shantazhi që PD, kunati dhe Lul Basha vendosin”, tha Veliaj.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA