Lirohen dy zyrtarët e ARRSH-së që u arrestuan në Durrës, ‘arrest shtëpie’ për një të tretë! Në kërkim 6 të tjerë

16/10/2020 18:48

Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë dy nga zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, të arrestuar gjatë  operacionit ”Bypass”, ndërsa nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë ”arrest në shtëpi” për një të tretë.

Lekë Tushaj, drejtor drejtorie pranë ARRSH, Kastriot Braha, inxhinier në ARRSH dhe Agron Hasa, inxhinier (arrest shtëpie) u arrestuan të mërkurën në kuadër të operacionit policor ”Bypass”.

Të mërkurën, policia ekzekutoi masat e sigurisë ndaj 3 personave dhe shpalli në kërkim 6 të tjerë. Shtatë prej personave nën hetim janë zyrtarë të ARRSH-së dhe akuzohen për ”shpërdorim detyre” në bashkëpunim, ndërsa dy të tjerë janë ndërtues dhe akuzohen për ”Dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm”.

Gjykata e Durrësit, përfaqësuar nga gjyqtari Petraq Ccurri, në seancën për vleftësimin e masave të sigurisë vendosi sot ”detyrim paraqitjeje” për Tushajn dhe Brahan, duke i liruar në sallën e gjyqit, ndërsa la ”arrest në shtëpi” inxhinierin Hasa.

Teksa policia e Durrësit ka deklaruar se vijon punën për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, që lidhet me ndërtimin e një pike furnizimi me karburant në autostradën Plepa – Kavajë, gjykata ndryshon masën e sigurisë për të arrestuarit e deritanishëm të prokurorisë dhe policisë.

Hetimet nisën pas një sërë aksidentesh të regjistruara në afërsi të pikës së karburantit të ndërtuar duke cenuar barrierat dhe devijuar projektin e autostradës me pretendimin se rruga kalon në tokë private.

Në kërkim:

Dhurata Lazaj, inxhiniere në ARRSH

Afërdita Basha,  inxhiniere ARRSH

Spartak Tarkaj, zyrtar i lartë ARRSH

Astrit Zenelaj, zyrtar i lartë ARRSH

Rezart Arkaxhiu, ndërtues

Xhevat Vataksi, ndërtues

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA