3 persona janë arrestuar gjatë mëngjesit të së premtes (16.10.2020) nga Policia e Korçës.

Shtetasit A. K., 29 vjeç, banues në Divjakë, Dh. B., 24 vjeç, banues në Tiranë dhe shtetasja F. V., 25 vjeçe, banuese në Durrës janë vënë në pranga nga uniformat blu pasi po transportonin në mënyrë të paligjshme 10 emigrantë.

Njoftimi:

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatet e Policisë Maliq dhe Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

K., 29 vjeç, banues në Divjakë.

Shtetasi i mësipërm është konstatuar në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, Maliq, nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetin tip “Volksëagen”, të cilët i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por A. K. nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar. Pasi janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e tij, gjatë kontrollit që forcat e Policisë ushtruan në mjetin e 29-vjeçarit, gjetën tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, ky shtetas iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu u arrestuan shtetasja F. V., 25 vjeçe, banuese në Durrës dhe shtetasi Dh. B., 24 vjeç, banues në Tiranë.

25-vjeçarja është konstatuar në lagjen nr. 3, Pogradec, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, por kjo e fundit nuk iu është bindur urdhrit të tyre. Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e saj në afërsi të fshatit Memlisht, ku brenda mjetit iu gjetën shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, në bashkëpunim me shtetasin Dh. B., iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Top Channel