Demokratë dhe republikanë përballen në gjykata për rregullat e votimit në prag të zgjedhjeve

16/10/2020 04:33

Uashington – Kur kanë mbetur edhe tri javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit, miliona amerikanë tashmë kanë hedhur votën me postë ose kanë votuar në qendrat e votimit të hershëm. Në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë dhe kërkesa në shumë shtete që të lehtësohet procesi i votimit përmes postës, përllogaritet se gjysma e amerikanëve do të votojnë përmes postës ose do të marrin pjesë në votimet e hershme, sipas një studimi të Institutit Brookings.

Por ndërsa zgjedhjet po afrojnë, qëndrimet e kundërta partiake lidhur me mënyrën e votimit dhe numërimit të votave po shpalosen para gjykatave, përmes padive gjyqësore, veprime këto që theksojnë mundësitë që te ketë mospjatime të thella një ditë pasi të mbyllen votimet. Një vendim i publikuar të hënën në mbrëmje nga gjykata federale e apelit mbështeti guvernatorin e Teksasit Greg Abbott që urdhëroi kufizimin e numrit të vendvotimeve, duke lejuar vetëm një për qark.Shumë organizata për të drejtat e njeriut e kritikuan vendimin. Në shumë raste, qarqet e Teksasit janë shumë të mëdha, që nënkupton se të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të votuar.

Në Pensilvani, vendimi në një përballje të ngjashme gjyqësore ishte ndryshe.
Një gjykatës federal të shtunën hodhi poshtë kërkesën e ngritur nga ekipi i fushatës së Presidentit Donald Trump që kërkonte kufizim të numrit të kutive të votimit në Pensilvani, për arsye sigurie. Demokratët e Pensilvanisë dhe grupe për të drejtat civile kundërshtuan procesin gjyqësor. Fushata e zotit Trump tha se do të apelonte vendimin. Këto dy raste janë në mesin e qindra padive të paraqitura në gjykatë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në fillim të këtij viti, duke detyruar miliona amerikanë të izolohen në shtëpitë e tyre ndërsa po zhvilloheshin zgjedhjet partiake për president dhe kandidatët e kongresit.

Në përgjigje të kësaj, shtetet mundësuan votimin me postë në mënyrë që njerëzit të mund të votonin pa u ekspozuar ndaj koronavirusit. Në shtetet ku shqetësimet ishin të mëdha, demokratët dhe aleatët e tyre iu drejtuan gjykatave për të lehtësuar rregullat. Nga ana tjetër, republikanët miratuan një “strategji mbrojtëse”, duke sfiduar ndryshimet e rregullave të kërkuara nga demokratët. Zoti Trump vazhdimisht ka deklaruar se votimi përmes postës, përveç në rrethana të jashtëzakonshme, krijon mundësi për mashtrim. Sidoqoftë, studimet kanë zbuluar prova të pakta që mbështesin këtë pretendim ndërsa demokratët këmbëngulin se presidenti dhe aleatët e tij po kundërshtojnë votimin me postë dhe votimin e hershëm për të dëmtuar votën për demokratët.

Dallimet në qëndrime në këtë luftë ligjore janë të mëdha, si nga ana e zotit Trump ashtu edhe nga rivali demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden. Në qershor, Donald Trump tha për portalin mediatik Politico se sheh si rrezikun më të madh humbjen e zgjedhjeve për shkak të ligjeve që përcaktojnë mënyrën e votimin. Në korrik, zoti Biden tha gjatë fushatës së tij se ka angazhuar një ekip prej 600 juristësh që të luftojnë mashtrimet e mundshme të republikanëve në zgjedhje. Besohet se ekipet e të dy fushatave po shpenzojnë miliona dollarë në çështje gjyqësore që lidhen me zgjedhjet. Sipas një të dhëna të mbledhura nga Projekti i Zgjedhjeve të Shëndetshme i Stanford-MIT, më shumë se 300 lëndë gjyqësore dhe apelime që lidhen me zgjedhjet janë dorëzuar në gjykata shtetërore dhe federale nga muaji mars, duke i bërë këto zgjedhje më të diskutueshmet në histori.

Shumica e proceseve gjyqësore janë ngritur në shtete kyçe që besohet se janë çelësi i fitores. Paditë e ngritura nga demokratët synojnë katër objektiva të gjera, sipas faqes që monitoron çështjet zgjedhore “oracydocket.com”. Ato janë: Sigurimi falas i shërbimeve postare për fletëvotimet, lehtësim i procedurave të nënshkrimit; lejimi i palëve të treta të dorëzojnë fletëvotime të shumëfishta në një praktikë që njihet si “korrja e votave”; dhe zgjatjen e afatit për numërimin e votave të dërguara. Republikanët kundërshtojnë të katër shtyllat e mbështetura nga demokratët, duke thënë se ndryshimi i procedurave të votimit eliminon masat mbrojtëse kundër mashtrimit. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Michael Thielen, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Republikane Kombëtare të Avokatëve, tha se “aktivistët nuk duhet të përpiqen të ndryshojnë, përmes proceseve gjyqësore të minutave të fundit, rregullat dhe procedurat ekzistuese të miratuara më parë që sigurojnë se vetëm votat e ligjshme hidhen dhe numërohen”

“Numri i madh i rasteve gjyqësore që kemi parë këtë vit rrezikon krijimin e kaosit dhe hutimit të votuesve, veçanërisht kur ndryshimet bëhen në prag të zgjedhjeve ose kur votuesit kanë filluar të votojnë”, tha zoti Thielen. Paul Smith, Nënkryetar për çështje gjyqësore dhe strategjike në Qendrën Ligjore të Fushatës si dhe profesor i drejtësisë në Universitetin Georgetown, thotë se gjyktatat e ulëta në përgjithësi ishin “mjaft të hapura ndaj argumenteve se si duhet rregulluar procesi në mënyrë që të lehtësohet votimi për njerëzit”. “Kur ka 300 procese gjyqësore, nuk mund të flasësh në përgjithësi, por përgjithësisht procesi ka pasur shumë sukses”, tha zoti Smith.

Qendra Ligjore e Fushatës nuk pati sukses në kërkesën që të bllokohet urdhri i guvernatorit të Teksasit për kufizimin e numrit të kutive të votimit. Por në shtete tjera, ata ndikuan me sukses tek zyrtarët që të ndryshojnë procedurat e votimit. “Shumë shpesh pas padive ndaj këtyre shteteve në këtë vit na është thënë, ‘Epo, keni të drejtë’ dhe thjeshtë u pajtuan që të vepronin”, tha zoti Smith.

Me disa përjashtime, gjykatat lejuan shtetet të zgjerojnë votimin me postë, duke hedhur poshtë argumentet e republikanëve se kjo krijon mundësi për mashtrim. Para pandemisë, 34 shtete lejuan votimin në mungesë pa kërkuar justifikim. Tani, të gjitha, përveç shteteve si Indiana, Luiziana, Misisipi, Tenesi dhe Teksasi, ose dërgojnë fletvotime në mënyrë automatike ose mundësojnë votimin në mungesë pa kërkuar ndonjë justifikim. Megjithatë mbeten një numër çështjesh që cilësohen si “pika të nxehta” në lidhje me votimin me postë, duke përfshirë edhe kutitë e hedhjes së votave. Gjykatat lëshuan vendime të përziera muajt e fundit, duke bërë që të dy palët të pretendojnë fitoren.
Në favor të republikanëve vendosi një gjykatë federale e apelit të premten e cila ktheu në fuqi vendimin e Ohajos për të kufizuar numrin e vendvotimeve, duke lejuar një për qark, rregull i njëjtë me Teksasin. Fitore tjetër e republikanve llgoaritet vendimi i një gjykate federale të apelit javën që shkoi që kërkon nga votuesit në mungesë në Xhorxhia të dorëzojnë fletëvotimet e tyre deri në ditën e zgjedhjeve. Triumf tjetër i republikanëve është vendimi i Gjykatës së Lartë që të gjitha fletët e votimit në Karolinën e Jugut të nënshkruhen në prani të një dëshmitari.

Edhe demokratët numërojnë disa fitore ligjore në mbarë vendin si hedhja poshtë e padisë së fushatës së zotit Trump mbi kutitë e votimit, si dhe vendimi i Gjyqtarit të Qarkut të Pensilvanisë Perëndimore, Nichilas Ranjan, i emëruar nga zoti Trump, i cili refuzoi pretendimet e republikanëve për mashtrim të hapur. “Mendoj se rezultati është shumë i përzier”, thotë Sah Brannon, avokate që drejton Projektin Kombëtar të të Drejtave të Votimit ACLU, projekt ky që monitoroi vendimet e fundit gjyqësore që lidhen me zgjedhjet. Tom Spencer, një avokat republikan me përvojë dhe nënkryar i Fondit të Mbrojtjes së Avokatëve, tha se pavarësisht disa sukseseve, demokratët “humbën shumicën e kohës në sigurimin falas të shërbimeve postare dhe në eliminimin e ligjit që përcakton mënyrën e kontrollit të përputhjes së firmave”.

Një pjesë e suksesit republikan është rezultat i Gjykatës së Lartë e kontrolluar nga konservatorët. Muajt e fundit, Gjykata e Lartë lëshoi një varg vendimesh kundër aktivistëve demokratë për mënyrën e votimit në Alabama, Florida, Karolinë e Jugut, Teksas dhe Uiskonsin. Javëve të ardhshme, gjykatat nuk pritet të lejojnë ndryshime tjera në rregullat zgjedhore. Kjo për shkak të një doktrine ligjore të njohur me emrin “Parimi Purcell”. Doktrina thotë se gjyqtarët federalë nuk duhet të bëjnë ndryshime të procedurave të zgjedhjeve në minutat e fundit sepse kjo krijon konfuzion tek votuesit dhe zyrtarët e zgjedhjeve. Nëse do të ketë ose jo përballje ligjore pas zgjedhjeve të 3 nëntorit varet shumë nga fituesi. Nëse rezultati është i ngushtë, ekspertët parashikojnë luftë ligjore.

Zoti Trump refuzoi të zotohet se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se ai dëshiron fillimisht të shohë mbarëvajtjen e procesit dhe nëse ka shenja parregullësish dhe mashtrimesh. Zoti Biden thotë se ai do ta pranonte rezultatin, pasi bëhet numërimi plotë i votave.

Numri i rasteve të infektimeve me COVID-19 në botë është rritur ditët e fundit, me mbi 38milionë e 724 mijë raste të konfirmuara, ndërsa numri i viktimave ka shkuar mbi 1 milionë e 94 mijë. ShBA vazhdon të jetë vendi më i goditur në botë, pasuar nga India dhe Brazili. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se shumë vende po raportojnë rritje të shtrimeve në spital nga koronavirusi. Ndërkohë, OBSH thotë se pandemia nuk ishte e barabartë kur analizohet mënyra e reagimit dhe ndikimit në vende të ndryshme. “Pothuajse 70 për qind e rasteve të raportuara në botë javën që shkoi ishin nga 10 vende dhe gati gjysma e tyre ishin vetëm nga tri vende”, thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA