BE dënon aprovimin e Izraelit për 3000 njësi të reja banimi në tokat e Palestinës

16/10/2020 18:36

Ministra të vendeve të Bashkimit Evropian dënuan dje vendimin e Izraelit për avancimin e planeve për ndërtimin e njësive të reja të banimit në tokat e pushtuara palestineze, duke thënë se vë në rrezik zgjidhjen me dy shtete të konfliktit me Palestinën.

Fuqitë evropiane e quajtën aprovimin për 3000 njësi të reja banimi në Bregun Perëndimor, një lëvizje “anti-produktive” që minon përpjekjet e paqes në rajon.

“Zgjerimi i kolonive të reja nga Izraeli shkel ligjin ndërkombëtar dhe rrezikon më tej arritjen e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë”, thuhej mes të tjerash në deklaratën e përbashkët të ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Spanjës.

“Siç e kemi cilësuar dhe drejtpërsëdrejti me qeverinë e Izraelit, ky hap minon më tej përpjekjet për krijimin e besimit mes palëve me synim rinisjen e dialogut”.

Kësaj jave Izraeli aprovoi ndërtimin e më shumë se 3,000 njësive të reja të banimit në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor, duke i dhënë fund një pezullimi tetë-mujor të kolonive të reja.

Sipas ligjit ndërkombëtar kolonitë janë ilegale. Autoritetet palestineze dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar, i konsiderojnë ato pengesë të zgjidhjes së konfliktit më të rëndë në Lindjen e Mesme.

Ministrat evropianë thanë se lëvizja është një hap “anti-produktiv duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit pozitive të normalizimit të lidhjeve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe e Bahreinit”.

FOTO GALERI
1/3
BE denoi vendimin e Izraelit për avancimin e planeve për ndërtimin e njësive të reja të banimit në tokat e pushtuara palestineze

Top Channel