Analisti bën deklaratën e bujshme: Serbët e Malit të Zi do të deklarojnë origjinën e tyre, do të shkojnë në mbi 40%

16/10/2020 13:50

Para pak kohësh, kryetarja e “Foleja Kombëtare Shqiptare”, Elida Jorgoni u shfaq në emisionin “Shqipëria Live”, me simbole kombëtare.

Ajo paralajmëroi asokohe se së bashku me maratonomakun shkodran, Irfan Domnjorin do të shkonin më 15 tetor në Tiresh të Malit të Zi për të vendosur flamurin kuq e zi. Pikërisht kjo nismë e tyre ka shërbyer si një arsye për tA shpallur Jorgonin “non grata” në shtetin malazez. Ndërkaq, kjo temë u diskutua këtë mesdite në studion e emisionit “Shqipëria Live”.

Analisti Ilir Kalemaj tha se shqiptarët në Mal të Zi janë diskriminuar sistematikisht, madje ai paralajmëroi një zhvillim që po ndodh në vendin fqinj. Sipas Kalemajt në Podgoricë gjatë këtyre ditëve është mbajtur një tryezë nga serbët në Mal të Zi, të cilët me anë të një censusi do të deklarojnë vitin e ardhshëm që janë serbë, për ta dërguar këtë numër atje në mbi 40%. Pas kësaj, sipas tij, shqiptarët atje do të diskriminohen akoma dhe më shumë, pasi serbët do të jenë në shumicë dhe priten që të formojnë qeverinë atje.

“Përveç asaj që kanë bërë të ditur mediat, vitin tjetër ka një census në Mal të Zi, disa udhëheqës serbë së fundmi kanë bërë një tryezë dhe ata mendojnë se në këtë census do të deklarojnë më shumë serb dhe ato do e dërgojnë numrin mbi 40%. Me këtë gjë do të ketë një regjistrim, që do të sponsorizohet nga Beogradi, kam informacione të sakta për të. Kjo tryezë është bërë tani në Podgoricë. Mali i Zi është i ngjashëm me Ukrainën”, tha Kalemaj.

Top Channel