Sulmet ruso-siriane/ Në Idlib- krime kundër njerëzimit

15/10/2020 15:26

Human Rights Watch deklaroi se qeveria siriane dhe aleatët e saj rusë kanë treguar “shpërfillje” për jetën e miliona civilëve gjatë ofensivës së tyre ushtarake për rimarrjen e enklavës së fundit të kontrolluar nga rebelet në veriperëndim të Sirisë.

Në raportin e fundit, grupi i të drejtave të njeriut me seli në Nju York tha se sulmet ajrore dhe tokësore ndaj zonave civile në provincën e Idlibit mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Sulmet e përsëritura të aleancës siriano-ruse ndaj infrastrukturës civile në zonat e populluara në të cilat nuk kishte asnjë objektiv të dukshëm ushtarak sinjalizojnë se ishin të paligjshme dhe të qëllimshme”, thotë organizata. Sipas raportit, qindra civilë u vranë në dhjetëra sulme ajrore dhe tokësore në spitale, shkolla dhe tregje, gjatë një periudhe 11-mujore.

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri më 2015 ndryshoi rrjedhën e luftës, duke lejuar forcat e presidentit, Bashar al-Assad, të rimarrin kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit dhe popullsisë së vendit. Rajoni i Idlib-it ka rreth 3 milionë civilë, shumë prej të cilëve ndodhen në kampe refugjatësh, pasi janë zhvendosur më parë nga pjesë të tjera të Sirisë.

Top Channel