Riinfektim nga Covid-19/ Historia e 25-vjeçarit që u prek nga koronavirusi për herë të dytë

15/10/2020 13:56

Zyrtarisht në botë ekzistojnë pesë raste riinfektimi të pacientëve me koronavirusi.

Rasti i fundit është ai i dokumentuar në SHBA te një i ri 25-vjeçar nga Nevada. Me to është marrë studimi i fundit i publikuar në revistën shkencore “The Lancet – Infectious Diseases”. Ai fokusohet te pacientët e prekur sërish disa javë apo dhe disa muaj, pasi janë shëruar një herë nga koronavirusi.

Studimi parashtron hipoteza të ndryshme dhe kërkon hulumtime të mëtejshme për të zgjidhur enigmën e çështjes së imunitetit. 25-vjeçari nga Nevada mori dy herë brenda 48 ditëve përgjigje pozitive të analizave që treguan se ai ishte infektuar nga dy lloje SARS-CoV-2. Ky rast dëshmoi se brenda një periudhe të shkurtër kohe mund të shfaqet një infeksion i dytë, që për më tepër mund të jetë më i rëndë se i pari.

Nga hera e parë e infektimit në muajin prill 2020 deri në infektimin për herë të dytë, i riu pati bërë dy herë analizat për SARS- CoV-2, dhe pati marrë përgjigje negative. Por, në qershor të 2020-ës te pacienti u shfaqën simptoma të rënda COVID-19, mes të cilave ethe, dhembje koke, të marra mendsh, kollitje, të vjella dhe diarre, prandaj ai u dërgua në spital dhe kur bëri analizat mori përgjigje pozitive për infektim të dytë.

Tani më në fund është shëruar. Autorët e studimit shkruajnë se ekspozimi një herë ndaj COVID-19 nuk garanton imunitet të plotë, prandaj duhen bërë analiza të mëtejshme për të parë nëse kemi të bëjmë me riinfektim.

Top Channel